Vetel në pole në Melburn Alonso i 3-ti, Masa i 5-ti
Radha e parë e gjitha për Red Bull në çmimin e madh të Australisë. Gjermani Sebastian Vetel do të niset nga “pole position: përpara shokut të skuadrës, Mark Veber, në garën e dytë të sezonit të programuar për sot në Melburne. Vetel, në “pole”-n e shtatë në karrierë, ka garuar në kohën 1'23''919, duke lënë pas australianin Veber (1'24''035). Radha e dytë do të jetë hapur për Ferrarin e Fernando Alonso, i treti më kohën 1'24''111. Jashtë 10 të parëve MekLaren i Hemilton. Do të niset nga pozicioni i pestë Ferrari tjetër i brazilianit Felipe Masa (1'24''837) pas kampionit të botës, Xhenson Batën me MekLaren (1'24''675). Vendi i gjashtë në nisje për Mercedesin e Niko Rosberg, i cili ka lënë pas shokun e skuadrës, Mikael Shumaker (1'24''927). I teti, Uilliams i Rubens Barrikelos para Renaultit të Robert Kubika dhe Force India të Adrian Sutil. Nga vendi i 20-të, ndërsa braziliani Bruno Senna me Hispania Racing, do të duhet të kënaqet me vendin e parafundit. Vendi i tretë e kënaq Alonson. “Ishin prova pozitive, thotë spanjolli. E dimë që do të jetë e vështirë për të kaluar Red Bullin, prandaj jemi impenjuar që të shfrytëzojmë në maksimumin potencialin tonë. Vendi i tretë është një rezultat i mirë. Gara është e gjatë, ne duam të përfundojmë në pod dhe të vazhdojmë të mbledhim pikë. Do të jetë një garë e gjatë me “safety car”, incidente, probleme. Prandaj, prioritet do të jetë arritja në finish: pastaj, të shohim nëse do të jemi mjaftueshëm të shpejtë për të synuar fitoren”. Nëse Alons ka besim, Masa nuk mund të jetë krejtësisht i kënaqur. “Nuk ishte paraqitja që prisja në prag të kësaj gare, shpjegon braziliani. Qëkur u ulën temperaturat, kam pasur gjithmonë vështirësi për të gjetur mënyrën më të mirë për të nxehur gomat, ndërsa të premten në mëngjes, për shembull, kur ishte më ngrohtë, situata ishte shumë më e mirë. Me temperaturat e sotme (djeshme) nuk kisha fërkim të mirë, gjë që nuk është shumë inkurajuese: shpresojmë që gjatë garës të jetë më ngrohtë. Në fund të provave munda të ruaj një pozicion jo të keq: sigurisht nuk është ideali për të synuar fitoren, por do të provoj të sjell pikë në shtëpi. Gara është shumë e vështirë, edhe sepse mund të ndodhë gjithçka, siç është parë shpesh edhe në të kaluarën”. Në “pole”-n e dytë sezonal, por këtë herë Vetel shpreson në një finale të ndryshme në krahasim me Bahreinin. “Nëse nisem i pari, mendoj për fitoren. Por fondamentale është të arrij në finish”, shpjegon gjermani i Red Bull, i katërti në garën e parë sezonale, pasi kishte kryesuar për shumë kohë. Vitin e kaluar humbi pikë të vlefshme me një incident me makinën e polakut Robert Kubika. “Pritet një garë e gjatë. E dimë se të gjithë do të nisen me shumë benzinë, do të jetë më e vështirë për të kontrolluar makinën”.
#