E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita e diellit, në kërkim tre trafikantë

Krimet e Rënda “kopsisin” dosjen për 10 persona. Materialet erdhën nga Italia

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka shpallur në kërkim ndërkombëtar tre persona të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Gjatë operacionit “drita e diellit” ku u arrestuan 31 persona në katër shtete, prangave të policisë i shpëtuan në vendin tonë tre persona. Nga verifikimet e policisë dhe prokurorisë personat e akuzuar nuk ndodheshin në banesë dhe ndaj tyre rëndojnë akuzat e trafikut të lëndëve narkotike më shumë se një herë. Materialet e dosjes që është hapur në prokurorinë shqiptare kanë ardhur nga akuza e Leçes. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare thanë se dosja me 10 të pandehurit shqiptarë është drejt mbylljes, ndërsa janë realizuar të gjitha veprimet procedurale si komunikimi i akuzave ndaj të pandehurve. Hetimet për grupin kanë filluar në vitin 2005, pasi në brigjet e Leçes, Itali, është kapur një sasi e madhe marijuane. Duke hetuar këtë grup, policia italiane ka bashkëpunuar me homologët e saj shqiptarë, grekë dhe belgë, duke mundësuar zhvillimin e operacionit në këto shtete, ndërsa dhjetëra persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Në Shqipëri janë proceduar 10 persona, 2 prej të cilëve ndodhen në burg, ndërsa në Itali 36 persona, në Greqi 3 dhe në Belgjikë 2 persona. Sipas të dhënave nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, operacioni u quajt “Drita e Diellit” për shkak se lënda narkotike e nisur nga brigjet shqiptare dorëzohej në agim në Itali. Sipas statistikave të Prokurorisë së Leçes, organizata kriminale ka trafikuar 1.5 tonë marijuanë.

Konfiskimi i parë i drogës është bërë në mars të vitit 2005 në kanalin e Otrantos, ku policia e Leçes kishte kapur 274 kilogramë marijuanë në një gomone. Që nga ajo kohë hetimet janë zhvilluar intensivisht. Personave të akuzuar u janë sekuestruar respektivisht, 1 ton dhe 300 kilogramë marijuanë, 10 kilogramë heroinë, 45 pistoleta dhe 38 fishekë të sekuestruara më 20 janar 2006. Lënda narkotike nisej nga brigjet shqiptare dhe brigjet greke, ndërsa destinacioni ishte unik: Sicilia. Midis 36 të arrestuarve janë edhe të paktën 6 italianë. Sipas hetimeve pesëvjeçare, marijuana ishte prodhim shqiptar me cilësi të shkëlqyer, ndërsa persona konkretë kujdeseshin për paketimin e kanabisit. Ndërkohë, heroina, edhe kjo e pastër, vinte nga Lindja e Mesme. Hetimi është realizuar njëkohësisht në katër shtete.

Për këtë operacion ka shkuar personalisht në Itali, Kryeprokurorja Ina Rama bashkë me drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Olsian çela.
Në dosjen hetimore thuhet se në brigjet e Leçes janë gjetur sasi të mëdha të marijuanës, që ishte braktisur nga trafikantët e drogës, ndonjëherë së bashku me gomonet. Kjo ndodhte sa herë që trafikantët dëgjonin sirenat e policisë. Një ndihmesë e madhe në hetimet kanë qenë edhe përgjimet në katër shtete. Të arrestuarit e operacionit “drita e diellit” janë kryesisht shqiptarë dhe italianë, ndërsa grupi drejtohej nga dy persona, nga italiani Salento Mauricia dhe shqiptari nga Vlora, Eduart Premtaj. Vëzhgimi ka nisur në muajin mars të vitit 2005, ku u sekuestrua një sasi e madhe e marijuanës në afërsi të kanalit të Otrantos, pika më lindore e Italisë. Hetuesit kanë shënuar hartën e trafikut të drogës, të udhëhequr nga organizata, i përbërë kryesisht nga qytetarë shqiptarë. Gjatë hetimeve është zbuluar se janë konfiskuar një total prej 1.5 tonë marijuanë, 10 kilogramë heroinë. Dyshohet se trafikantët kanë importuar të paktën edhe disa tonelata lëndë narkotike.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›