Malaj: Fryma e bojkotit godet avantazhin e PS-së
Deputeti Arben Malaj kritikoi ashpër qëndrimin “pro” bojkotit të Kuvendit. Sipas tij, nuk duhet të ketë justifikime që radikalizimi i Partisë Socialiste është kërkesë e bazës socialiste. “Dje, disa kolegë përdorën edhe shifra që deri në 80% e anëtarëve të organizatave kërkojnë bojkotin e përhershëm të Parlamentit. Kjo frymë e godet Partinë Socialiste në avantazhin e saj publik. Anëtarësia e PS përfshin njerëz me vlera njerëzore, njerëz të përkushtuar dhe njerëz të arsimuar”, u shpreh Malaj.
Dje, vijoi ai, u tentua të akuzoheshin socialistët në bazë që kundërshtojnë bojkotin. “Ata që kundërshtojnë bojkotin e Parlamentit nuk janë vetëm ata që janë në punë apo që kanë biznes privat. PS nuk duhet prezantuar si partia vetëm e njerëzve të varfër dhe të papunë. Ky mentalitet ngushton bazën sociale të PS dhe e bën atë një parti gjithnjë e më të vogël, ndërsa ngushtimi artificial i bazës sociale rrezikon ta bëjë PS-në gjithnjë e më të vogël e më radikale. Ne duhet të marrim pjesë në Parlament për të qartësuar vizionin tonë për një qeveri ndryshe, për të mbështetur integrimin e vendit dhe për të qartësuar dështimet e Berishës. Duhen qartësuar publikisht dështimet e qeverisë dhe efektet e krizës politike në debatin tonë parlamentar. Duhet të debatojmë në Parlament për t’i parandaluar krizat dhe për të qartësuar se qeverisja e ardhshme e PS i njeh përmasat e tyre, dhe ka gati strategjinë antikrizë dhe rikthimin e ritmeve të larta të rritjes ekonomike”, theksoi Malaj.