Vetëm 3 për qind e shqiptarëve njohin sigurimin e jetës, banesës apo biznesit
Kompanitë e sigurimeve tregojnë se shqiptarëve u mungon kultura e sigurimeve, në raport me vendet BE Shqiptaret janë të painteresuar për të bërë sigurimin e jetës, të shtëpive dhe të biznesit. Situata e jashtëzakonshme në veriperëndim të vendit, tregoi se askush nga banorët e përmbytur nuk mund të përfitonte nga agjencitë e sigurimeve në vend, pasi askush prej tyre nuk kishte mundur që të bënte një sigurim të jetës, të pronës dhe të biznesit më parë. Kjo situatë e vështirë tregoi se sa të painteresuar kanë qenë shqiptarët deri më sot për të siguruar jetën e tyre.
Qindra shtëpi, hektarë tokë të përmbytura apo të tjera pasuri të dëmtuara në veri të vendit gjatë këtyre ditëve nuk janë objekt dëmshpërblimi nga ana e kompanive të sigurimit në vend. Megjithëse situata të tilla katastrofike në të gjithë botën mbulohen nga tregu i sigurimeve, në Shqipëri niveli i ulët i sigurimit të pronës i ka lënë ato jashtë trajtimit. Zgjidhja do të ishte mbrojtja ndaj katastrofave natyrore, nëpërmjet sigurimit që mund të bënte vetë qeveria për territore të caktuara apo dhe vetë individët. Sigurimi i pronës në Shqipëri është ende i ulët, kjo vjen për mungesën e informacionit në këtë fushë. Në Shqipëri sigurimi i detyrueshëm i pronës është vetëm në rastet kur ajo vihet si garanci bankare. Nga të dhënat e marra në tre prej agjencive të sigurimeve, InterAlbania, Intersig dhe Sigal, rezulton se vetëm 3 për qind e shqiptarëve janë të siguruar. Kjo sipas ekspertëve të këtyre agjencive tregon mjaftë qartë se popullit shqiptar i mungon kultura e sigurimit. Duke marrë shkas edhe nga vendet tona fqinje, Shqipëria është ende më hapa mbrapa në këtë sektor. Italia, Greqia madje edhe Maqedonia, të cilat janë vendet tona fqinje, e kanë të shkruar edhe në kushtetutë, që të gjithë shtetasit e këtyre vendeve të kenë të siguruar të paktën jetën, kjo provohet edhe nga emigrantët tanë, të cilët për të kaluar në kufirin e këtyre shteteve më parë duhet të bëjnë sigurimin e jetës. Gjithashtu edhe banorët qarkut të Dibrës, të cilët u goditën nga tërmeti, nuk mundën të përfitonin nga kompanitë e sigurimeve, pasi nuk ishin të siguruar. Pavarësisht publiciteteve, që këto kompani bëjnë në media të shkruara dhe vizive, interesi i shqiptarëve mbetet ende i ulët. Interesi për sigurimeKompanitë e sigurimeve, bëjnë të ditur se niveli i ulët i shqiptarëve për të siguruar pronën dhe jetën është shumë i ulët. Kjo sipas tre lidhet me mungesën e paktë të informacionit që kanë, por edhe me mos interesin e tyre. Ata theksojnë se pavarësisht reklamave të shumta që kompanitë e sigurimeve kanë bërë në media të ndryshme, serish niveli i personave të siguruar nuk e kalon 3 për qind. Ata shprehen se pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë nuk kanë krijuar ende besim tek kompanitë e sigurimeve, pasi kanë frikën e ndonjë mashtrimi. Gjithashtu kompanitë e sigurimeve, kërkojnë nga shteti shqiptar futjen e ligjit për sigurimin e jetës dhe atë të pronës, si detyrim qytetar, kjo pas së shpejti Shqipëria pretendon të aderojë në Bashkimin Europian. Por në Shqipëri, sigurimi i detyruar është vetëm për makinat dhe për personat të cilët marrin kredi në banka, ndërsa pjesa tjetër nuk mund të detyrohen për të bërë sigurimin e jetës. Kompanitë e sigurimeve, kanë nxjerrë në treg 3 skema sigurimesh, që është ajo që të mbulon 30 për qind të shpenzimeve, 50 për qind të shpenzimeve dhe skema e tretë e cila mbulon 100 për qind shpenzimet e qytetarëve shqiptarë. Por në të tre skemat e nxjerra nga kompanitë shqiptare të sigurimeve, vetëm 3 për qind e tyre janë të siguruar. Gjithashtu kompanitë e sigurimeve bëjnë të ditur, se vetëm 5 për qind e biznesit në Shqipëri është e siguruar, duke përjashtuar këtu biznesin VIP, ku të gjithë subjektet janë të siguruar. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, ku qytetarët e saj në rast fatkeqësish presin kompensim nga ana e shtetit ose i paguajnë shpenzimet nga xhepi i tyre, ndërsa në pjesën tjetër të Europës, të gjitha shpenzimet mbulohen nga ana e kompanive të sigurimeve. Gjithashtu kompanitë e sigurimeve bëjnë të ditur, se në krahasim me vendet e tjera të Europës, kompanitë që operojnë në Shqipëri kanë tarifat më të ulëta që duhet të paguajë qytetari, për figuracionet e veçanta dhe për atë kasko.
Taulant Halili
Last Updated on E Hene, 18 Janar 2010 19:59