Vetëm 8 vjeç plagos rëndë me thikë të vëllanë pas grindjes për lodrat
Është vetëm 8 vjeç, por ka guxuar të qëllojë disa herë me thikë vëllanë e tij tre vjet më të madh se veten. Ngjarja e rrallë, e cila ka shokuar jo vetëm familjen e dy të miturve, por edhe opinionin, ndodhi dje në qytetin e Librazhdit, kur 8-vjeçari L. G. ka goditur disa herë vëllanë e tij 11 vjeç me thikën e kuzhinës, duke e lënë të plagosur rëndë. Mësohet se dy vëllezërit e mitur kanë qenë duke luajtur me njëri-tjetrin dhe më pas mes tyre ka nisur një grindje. Asnjëri prej tyre nuk ka “lëshuar pe”, duke bërë që për pak familja e tyre të rrezikohej nga një tragjedi. I revoltuar, 8-vjeçari ka shkuar në kuzhinë, prej nga ka marrë një thikë me të cilën goditi disa herë vëllanë. Ky i fundit e ka pasur të pamundur të mbrohej, megjithëse ishte më i madh. Prindërit e të miturve, të shokuar, transportuan menjëherë në spital 11-vjeçarin, i cili, pasi mori mjekimin e parë, u transportua në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Ndërkohë që për ngjarjen u sinjalizua policia, e cila mori në pyetje prindërit e dy të miturve. Vëllai i plagosur rëndë ka sinjalizuar i vetëm fqinjët për plagët e marra, ndërsa agresori i mitur ka pësuar “shok” dhe është traumatizuar pasi është bërë i ndërgjegjshëm për aktin që kishte kryer. Kjo që ndodhi përbën ndoshta një rekord për rastet e plagosjeve të rënda për vetë faktin se agresori ishte vetëm 8 vjeç, një moshë e cila e bën të paimagjinueshme atë që ka ndodhur. Policia po e trajton me prioritet rastin, ndërsa për të miturin agresor do të operohet me metoda speciale dhe trajtimi i tij delikat do të kryhet nga mjeku psikolog dhe hetues specialë të uniformave blu.
8 Gusht 2009