Vetëm çirilicë në Graçanicë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë ka reaguar ndaj shkeljes së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga zyrtarët e Komunës së Graçanicës.
Në zyra e KMDLNj kanë ardhur qytetarë të komunës së Graçanicës, përkatësisht qytetarët e Lagjes “ NIC “, të cilët janë ankuar se zyrtarët e kësaj komune u lëshojnë dokumente vetëm në gjuhën serbe (alfabeti cirilik ) edhe për qytetarët e komuniteteve jo-serbe. Banorët shqiptarë të kësaj lagjeje këtë e marrin si provokim.
KMDLNj me këtë rast konstaton se kjo është shkelje e hapur e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe Ligjit për Jodiskriminim.
KMDLNj konstaton se një diskriminim i tillë është i papranueshëm dhe me këtë i bën thirrje Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Komisionit të Gjuhëve që të ndërmarrë masa për ndërprerjen e kësaj dukurie diskriminuese.