Malazezët pro regjistrimit
Shoqata e Malazezëve të Kosovës, me seli në Prishtinë, është distancuar nga thirrja e koalicionit të disa organizatave joqeveritare malazeze të Kosovës drejtuar komunitetit malazez që të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë, që fillon nga 1 e deri më 15 prill e që e organizojnë institucionet e Kosovës.
“Thirrja që kolektivisht të bojkotohet regjistrimi i popullsisë në Kosovë është vetëm edhe një kombinatorikë e ndytë e radhës, e cila posaçërisht është e drejtuar në regjistrimin në Mal të Zi”, thuhet në një reagim të Shoqatës së Malazezëve. Kjo shoqatë, që tubon malazezët e Kosovës, gjithashtu distancohet edhe nga apeli drejtuar kryeministrit malazez dhe qeverisë malazeze që të rishqyrtohet vendimi për njohjen e Kosovës.
“Pavarësisht përkatësisë kombëtare, etnike dhe fetare, secili që Malin e Zi e ka në zemër duhet të pranojë këtë vendim si realitet, që është marrë për mirëqenien e të gjithëve, për paqe, për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, stabilitetit në rajon dhe integrimeve euro-atlantike të atdheut tonë - Kosovës dhe shtetit amë - Malit të Zi”, thuhet në komunikatë.