E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm komunist nuk dua të jem

Bisedë me historinë

Rrëfenjat gjithmonë janë të zbukuruara, të fryra në shumë raste, e në shumë të tjera të krijuara me petkun poetik të shkruesit të tyre. Shumë kisha dëgjuar për një epokë, tanimë të vdekur, të mbetur relikte në muzeun e historisë. Peng të saj ishin ende ato gra e burra, ata që kishin jetuar vërtetë në këtë histori. Dekadat e shkuara, e kishin zvetënuar disi atë epokë të ngujuar në prangat e telave me gjemba. E bashkë me ikjen e saj, kishin ikur edhe mijëra gra e burra. Jetoja shumë më vonë, në një epokë tjetër, atë që modernët e quajnë epokën e lirive. Përveç modern, jetoja edhe në epokën kozmopolitinane, ku atdhetaria ishte më shumë një ndjesi e fortë në lojëra futbolli. Isha një demokrat i rafinuar, edhe pse në shumë raste mund të kisha votuar për të majtën. Qytetaria, para se të gjithash i formëson anëtarët e tij me ato vlera që mbizotërojnë në atë periudhë. Por sigurisht, komunist prej vërteti nuk mund të isha, edhe pse mund të mendoja idenë e barazisë, si idenë më të drejtë për njerëzimin. Pasditja e së shtunës, ishte e heshtur. Qyteti ishte disi i boshatisur nga ato mijëra makina, që prishin çast e sekondë qetësinë. Muzeu aty pranë, qëndronte si vigan i pa shpirt në histori. Se kisha vizituar asnjëherë. Krejt rastësisht, preva tre bileta me miqtë e mi, për të parë se ç’ekzistonte brenda tij. Nisëm me Pellazgët, Ilirët, Dardanët, Arbrit, Arbëreshët, shqiptarët. E gjithë historia ishte bashkuar në atë ndërtesë të madhe, e mbledhur me ato pak dëshmi që kishin mundur të mbijetonin në kohë. Secila, përfaqësonte një histori më vete, në atë proces të pafund krijimi. E në fund të muzeut, qëndronte më e fundit histori, tanimë jo për Ilirët, as për Arbrit, po për shqiptarët. Kjo histori për këtë komb, kishte përfunduar në dekadën e nëntë, të fundmijëvjeçarit të dytë sipas Krishtit. Kishte nisur rreth katër dekada para nëntë dekadëshit të fund të mijëvjeçarit të dytë. Datat, ndonjëherë janë shumë më të rëndësishme, sesa një histori e tërë. E ndonjëherë tjetër, janë fare të pavlefshme, sesa një pjesë historie. Përmes heshtjes së muzeut, dhe dëshmive të pakta, mu duk sikur jetova nga pak në çdo epokë. Por më shumë jetova në katin e tretë. Atje nuk kishte shumë dëshmi. Një dhomëz e vogël, me një dritare më pak se një pëllëmbë gjerë e gjatë, e me një vrimë tek dera, sa për të parë vetëm me njërin sy. Aty ishin edhe dy pranga, një lugë alumini, një pjatë po e tillë, një gotë, edhe një palë zinxhir hekuri. Në mur, një lloj boje e kuqe, që tregonte gjakun e të burgosurit. E përballë asaj ngjyre, në atë dhomë tejet të ngushtë, katër rreshta shkrim jo shumë i bukur. “Rroftë Shqipëria.”... më pas emri i një personi, që ishte shkruar keq, të cilin nuk mund ta mbaja mend, e më poshtë.. “Dita e ekzekutimit 1946”. Nuk janë shumë dëshmi, pak relikte, shumë më pak se gjitha periudha e lashtësisë. Dukej se prangat, tregonin mungesën e lirisë për të burgosurin, zinxhirët robërinë, gota, pjata dhe luga, mjerimin. E një batanije e vjetër aty pranë, motin e ftohtë dhe të egër të 365-ditëshit të vitit. Përtej ndjesisë më të skajshme të dhimbjes, bëra bisedë me atë histori të shkuar, atë bisedë të heshtur, ku askush nuk fliste, e gjithë andej dëgjoheshin dëshmi rrëqethëse. Mu kujtua biruca, skllavëria, dhuna barbare, mungesa e lirisë, vrasja, krimi, terrori, burgu, përndjekja, frika, shantazhi, tortura, djegia, akulli. Si mundet të jetonin të gjitha këto në atë dhomëz fare të vogël? Të gjitha këto ishin rrëfenja, jo për poetët modernist, por për pesimistët e brezit të errët të historisë (brez i trilluar). Në atë dhomëz fare të vogël, jetonin katër dekadat e gjysmës së dytë të mijëvjetëshit të dytë të historisë sonë. Hyra për pak minuta brenda dhomës së errët, e komplet mendimi mu kthye mbrapsht, sikur po jetoja realisht në 1946-ën, e jo në 2008-ën. S’pata as fjalë për të thënë, e as rrëfenjëtar nuk doja të isha, me frikën do të abuzoja me këtë histori të trishtë të kombit tonë. Unë kisha edhe një të metë të madhe. I burgosuri, edhe pse në minutat e fundit të jetës së tij, ruante ende ndjenja atdhetarie, në një kohë kur dielli për të kishte perënduar përjetësisht. I shtrëngova pak zinxhirët, për të provuar atë ndjesi që dikush i kishte provuar realisht para 50-vitesh. E ndjeva fortësinë e tyre por jo dhimbjen. Dola, duke supozuar se ai që kishte vuajtur këtu, fitoi lirinë. Kësaj here, personazhi kryesor vdiq realisht, madje as si hero. Përtej dhomës së vogël, një listë shumë e gjatë emrash. U habita se si kishin mundur t’i shkruanin të gjithë ato shkronja. Ne që jetojmë më pas në histori, e kemi shumë të lehtë për të folur për të shkuarën. Të gjithë ata ishin vrarë, pushkatuar, varur, djegur, masakruar, etj. Aty pranë, një bluzë me gjak, e një lloj pasaporte që tregonte identitetin e një zotërie. Mbishkrimi shoqërues: “Varrosur i gjallë. Lushnjë, 1948”. Historia, sado që mund të varroset, klithmat e saj, mbeten përjetësisht në shpirtrat e atyre që ishin dëshmitarë. Komunizmi do të vdesë, atëherë kur të gjithë ata që jetuan dhe lindën në atë kohë, do të vdesin. Duhen edhe shumë vite, por jo aq sa ishte katër dekadëshi i para 20-viteve të atdheut tonë të përgjumur, në epokën tjetër të historisë, atë të demokracisë. Vetëm komunist nuk dua të jem!
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›