Vetëm retorikë!
Kush mund të pohojë të kundërtën e realitetit që është për mendimin, se në mënyrë klasike i qëndron përjetësisë - atëherë nuk ka kuptuar se nga vjen përndritja e ideve. Kur rrymat botërore, lëvizjet kulturore, politike, sociale po ndryshonin në vrulle të papërmbajtura Evropën, në Shqipëri elita i kish mbërthyer prej brirësh dhe pati ngrehur kreshpën për ta rrokur pa asnjë ditë humbjeje trokun perëndimor të mendimit.
Ndonëse në ato vite vendi ynë ndodhej në një prapambetje të madhe, hendeku me njerëzit e mendimit ishte tmerrësisht i madh - por parashikues. Sot, pas gati një shekulli vizioni i tyre është konkret, praktik. Jo në kontekstin çfarë elite kulturore po prodhojnë intelektualët e sotëm, por të orientimit praktik çfarë shqiptarët duhej të mbronin si ideale. Në fakt kontrasti i sotëm intelektual është tmerrësisht i madh në krahasim me jetën moderne. Gati pas 20 vitesh tranzicion, kur u përmbys diktatura që mohoi, ndaloi, censuroi njohjen e kësaj plejade - për herë të parë duhet thënë, u organizua një “konferencë shkencore”, si shenjë sensibilizimi për njohje dhe rivlerësim të atij grupimi të djelmërisë shqiptare që nuk lanë arenë letrash pa nxitur tek shqiptarët, gjënë më të thjeshtë; njohjen e vetvetes - si sfidë drejt evropianizimit.
Askund nuk kemi hasur të shënuar se Anton Harapi, Branko Merxhani, Zef Valentini, Eqerem Bej Vlora, De Rada, Sami Frashëri, Vangjel Koça, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Faik Konica, Fan Noli, Stavro Skëndo, Tajar Zavalani, Vaso Pasha, Gjergj Fishta, Gjon Shllaku, Ismet Toto, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Mustafa Kruja, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Mithat Frashëri, Jorgji Meksi, Nebil Çika, Nonda Bulka, Zef Krispi, Safet Butka, Getano Petrotta, Sejfulla Maleshova, Vinçens Dorsa, Namik Resuli - pra, për këta njerëz të mendimit nuk kanë shënuar gjëkundi, se u mblodhën në ndonjë hotel luksoz, ku mund të kenë bërë projekte, të kenë aplikuar, marrë paratë e t’ia kenë shtruar drekave dhe koktejeve dhe pastaj ta thoshin mendimin.
S’duhet harruar se gjithë kjo plejadë e elitës, me çfarë kanë lënë të shkruar, trashëgimi, nuk u grupuan, as u bënë klane njerëzish për t’iu servilosur ndonjë politike të brendshme, a për të folur në interes të sigurimit të mirëqenies së tyre personale. Gazetat “Albania” e Faik Konicës, “Minerva” e Nebil Çikës, “Iliria” e Ismet Totës, “Hylli i Dritës” i françeskanëve etj., u bënë mediumi që mbahej me sakrifica, për të shprehur idetë, idealizmin, ku specifikisht nuk lanë fushë pa ngritur sistemin e funksionimit intelektual. Por çfarë shenje tregoi konferenca e djeshme, që duhet thënë ndonëse pati personalitete dinjitoze të mendimit, të ftuar, nuk zgjoi ndonjë debat reflektues të fuqishëm, sa ç’mund të pritej nga ky “zgjim i vonuar” i shqiptarëve mbi këtë plejadë. Dje, ngjarje ka qenë prania e Arbën Xhaferrit, ku fjala e tij ishte një peshë e fortë intelektuale, një referim gati manifestues, plot ide, dhe argumentim mendimi se çfarë ka ndodhur pas 100 vjetësh kur mes neo-shqiptarëve dhe vendeve fqinje, që predikonin “idenë e gjeniut barbar”, si lëvizje politiko-kulturore në mes dy luftërave botërore e që njihet me emrin zenitizëm. Ndoshta Xhaferri ishte ndër të vetmit, që për potencën intelektuale, të elitës, mendimit, ta cilësojmë si epigon i plejadës së viteve ’30, ku konsistenca pro perëndimit dhe Evropës vazhdon të mishërohet e gjallë, si dëshirë e brendshme, si njohje me vetveten dhe ideal zhvillimi.
“Është konstatim praktik se pa mendimin shqiptar nuk mendojmë shqip, në kuptimin e artikulimit të interesave kombëtare. Ky është një sinjal që tani ne kemi filluar të kuptojmë dhe të veprojmë në kuadër të interesave kombëtare”, - ka thënë ekskluzivisht për “standard” kulturologu i trevave mbarëshqiptare. Konkluzioni më specifik për këtë rast, dhe që flet vetë, është rasti i botimeve të kësaj elite, dhe njohjen e tyre nga shkollat dhe universitetet. Por kjo më shumë ka qenë retorikë dje, pasi ajo që pretendohet, pra vullneti politik, prania e zyrtarëve të lartë të arsimit, më shumë ka qenë një gjest përshëndetës dhe aspak premtues për ndonjë strategji se si mendimi shqiptar të futet në programet mësimore. Ndërsa botimet - që ende nuk janë kryer plotësisht, dhe studiuesit flasin për dokumentacione të pazbuluara arkivore - janë sporadike, pa kritere përmbledhjeje,dhe krejtësisht nisma private të botuesve. Për këtë, dje është përmendur se ekziston një antologji e mendimit kritik shqiptar të periudhës 1870-1945, përgatitur nga Ndriçim Kulla, që përbën një tekst plotësues për shkollat e mesme për lëndën e letërsisë shqipe; është një përmbledhje antologjike voluminoze e botuar në vitin 2002, botuar nga Enver Muhametaj, që përmbledh shkrime të të gjitha tipeve të polemikës shqipe, gjatë një periudhe kohore prej 450 vjetësh; ka një botim, përmbledhje antologjike estetike dhe kritike të Stefan Çapalikut, që përmbledh 30 studime dhe artikuj kritikë për mendimin letrar të Koliqit; është botuar përmbledhja estetike dhe kritike e përgatitur nga Persida Asllani; ka një botim që përmban mendimin estetik dhe kritiko-letrar të Gjergj Fishtës si dhe një përmbledhje tjetër antologjike të mendimit filozofik psikologjik dhe sociologjik shqiptar, që përfshin periudhën 1870-1945, përgatitur nga Ndriçim Kulla, pa përjashtuar disa përmbledhje të albanologut të mirënjohur italian, At Zef Valentino, për aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare. Studiuesi i Qendrës Albanologjike, Muhametaj, ka ngritur problematikën se këto botime kanë nevojë të specifikohen, pra të dalin antologji që kanë lidhje sipas autorëve, nëpër fusha të ndryshme të mendimit sociologjik, politik, psikologjik, kritik apo letrar.
Ajo që është pohuar dje në konferencën për elitën e viteve ’30 ka të bëjë me trashëgiminë e tyre, e cila sapo ka dalë në dritë, por që në arkiv mendohet të ketë pasuri kolosale të pazbuluar, të pambledhur, për të cilat mungon jo vetëm interesi, por edhe aparati shkencor për botimet e tyre. Si njohim Kadarenë, të njohim dhe Mit’hat Frashërin, siç njohim Agollin të njohim dhe Branko Merxhanin - kjo dilematikë ka qenë provokuese dje, aq dhe dilematike për të ardhmen se si mund të sistemohet dhe të penetrojë nëpër shkolla kjo elitë e mendimit shqiptar.