Shkodër/ Dëmtojnë makinën e një shtetasi, tre persona nën hetim
Dy ditë më parë, policia e Shkodrës ka konstatuar në lagjen “Bahçallëk” të këtij qyteti se është dëmtuar me mjete të forta, duke i thyer xhamat, fenerët dhe shpuar gomat, automjeti tip “Opel Vectra” me targa BZ 492143, në pronësi të shtetasit E. D., 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Bushat, Komuna Bushat e rrethit Shkodër. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet policore dhe pasi u kryen veprimet procedurale dhe nga grumbullimi i informacioneve, rezultoi se autorë të dëmtimit të këtij mjeti janë shtetasit Fred Shkëmbi, 19 vjeç, lindur në fshatin Shllak, Dukagjin dhe banues në qytetin e Shkodrës; Zef Shllaku, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Trush, Komuna Bërdicë e rrethit Shkodër dhe Drilon Hila, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Bushat, Komuna Bushat e rrethit Shkodër. Nga ana e policisë u bë shpallja në kërkim e tyre. Materialet në ngarkim të shtetasve Fred Shkëmbi, Zef Shllaku dhe Drilon Hila, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “shkatërrimit të pronës në bashkëpunim”.