Korrupsioni, një produkt kulturor
Ditët e fundit, opinioni publik është bërë i njohur me të dhënat e sondazhit të realizuar nga IDRA në lidhje me fenomenin e korrupsionit. Ajo çfarë vërehet në këto të dhëna, është niveli i lartë i korrupsionit, pavarësisht uljeve të ndjeshme që ka pësuar në kohën e qeverisjes së djathtë. Pikërisht, ky fakt ka nxitur aktorët politikë për të identifikuar shkaqet dhe mundësitë e parandalimit të këtij fenomeni, pasi përmasat e tij ndikojnë negativisht në shpejtësinë e anëtarësimit në strukturat e BE-së. Por ajo çfarë konstatohet në këto analiza, është thjeshtëzimi i trajtimit të fenomenit, duke e lidhur shkakun e problemit me vullnetin e aktorëve politikë dhe reformat e ndërmarra.
Por siç dihet tashmë, korrupsioni nuk është një dukuri që mund të shpjegohet me një model të thjeshtëzuar të tipit shkak – pasojë. Ai nuk është rezultat i një shkaku të vetëm, por përkundrazi, i një numri shkaqesh të cilët plotësojnë njëri-tjetrin dhe ndodhin njëkohësisht. Prirja për ta përqendruar zgjidhjen e problemit vetëm tek një faktor, e bën qesharake nivelin e analizës dhe të pamundur zgjidhjen e saj. Pikërisht, kjo mënyrë e të analizuarit të problemit ka sjellë që në njërën anë të shikojmë një angazhim të vazhdueshëm të aktorëve politikë për ta zgjidhur problemin dhe në anën tjetër të përballemi me rezultate të dobëta. Ky kontrast midis premtimit dhe rezultatit vjen për arsye se rrënjët e fenomenit prekin jo vetëm aktorët politikë dhe administrativë, por të gjitha strukturat sociale, politike, ekonomike të mbarë shoqërisë. Dhe në këtë kontekst, zgjidhja e problemit fatkeqësisht nuk varet shumë nga modelet që ofrohen nga aktorët politikë, por nga normat kulturore dhe sociale që kemi ndërtuar si shoqëri.
Perceptimi i realitetit është një konstrukt i ndërgjegjes njerëzore dhe ky perceptim është rezultat i vlerave dhe qëndrimeve të trashëguara dhe të përvetësuara nëpërmjet shoqërizimit. Njerëzit imitojnë njëri-tjetrin, ata përvetësojnë vlera të familjes, grupit dhe të shoqërisë; ata mësojnë se çfarë të presin nga të tjerët dhe si të sillen, ata arsyetojnë mbi situatën dhe e ndërtojnë mënyrën e sjelljes. Pikërisht, këto vlera dhe qëndrime të përvetësuara nga individët dhe grupet reflektohen në mendjen e aktorëve. Në këto kushte përcaktuesi kryesor i veprimeve të korruptuara nuk janë rrethanat objektive, por përkundrazi, perceptimi subjektiv i rrethanave që përcaktohen nga shoqërizimi i aktoreve – d.m.th normat shoqërore, kulturore, ligjore dhe etike që mbart ky aktor.
Janë pikërisht këta faktorë që i shtyjnë sociologët ta konceptojnë korrupsionin si një shtrembërim patologjik i detyrimeve normative, pasi këto norma shoqërore të pasqyruara në mendjen e aktorit përcaktojnë atë çfarë konsiderohet korrupsion dhe në fund të fundit përcaktojnë edhe suksesin e zbatimit me rigorozitet të sanksioneve dhe mbikëqyrjes si dhe të masave organizative dhe ligjore në drejtim të parandalimit të tij. Kështu që dimensionet e fenomenit janë kaq komplekse, sa nuk mund të kurohen vetëm me rritjen e përgjegjshmërisë së aktorëve politikë apo juridikë, siç pretendon një pjesë e opozitës, por ka nevojë për një edukim të përgjithshëm të mbarë shoqërisë për të stabilizuar disa norma morale dhe etike të nevojshme për një shoqëri demokratike, pasi korrupsioni është thellësisht një çështje kulture dhe jo thjesht një çështje teknike administrative.
Pse themi se korrupsioni është një çështje kulture?
Në disa shoqëri korrupsioni dënohet si një veprim moralisht i papranueshëm, në të tjera detyrimi moral për të ndihmuar të afërmit dhe kolegët zëvendëson rregullin e përcaktuar se detyra duhet të ushtrohet në mënyrë të paanshme. Në këto shoqëri ku bën pjesë edhe shoqëria jonë, pranimi i dhuratave për një veprim zyrtar jo vetëm që perceptohet si diçka normale, por edhe të refuzosh një dhuratë konsiderohet si një budallallëk. Ky aspekt kulturor përcakton sjelljen shoqërore, e cila është në kontradiktë me natyrën e normave ligjore. Formulimi i rregullave dhe ligjeve janë sipas standardeve ndërkombëtare, por interpretimi dhe zbatimi i tyre në realitet kushtëzohen nga botëkuptimi që kanë vetë aktorët. Kështu që reformat që ndërmerren në planin juridik dhe administrativ, janë të mirëmenduara, por kur vjen momenti për t’i zbatuar këto norma, shikojmë se zbatimi i tyre në praktikë ndryshon shumë nga ajo çfarë kërkohet në normën e shkruar.
Kjo na bën të mendojmë se prirja për të imituar shembujt e vendeve të zhvilluara është një gjë e mirë, por zbatimi i tyre kushtëzohet nga modelet kulturore, të cilat në rastin tonë bazohen në miqësi dhe lidhje familjare dhe jo mbi zgjedhje racionale dhe dispozita ligjore. Është pikërisht kjo mënyrë ndërveprimi, karakteristikë e shoqërive paramoderne do të shprehej Weber, që me kalimin e kohës, përjashtimet e bëra për të afërm, miq, klane apo për shkaqe korruptive dhe ryshfeti e gllabërojnë të gjithë sistemin. Kjo mënyrë që zgjedh shoqëria për ta përshtatur normën abstrakte që vjen si imponim nga lart me normën kulturore që i buron nga brenda individit, përcakton efektshmërinë e luftës ndaj korrupsionit.
Kompleksiteti i problemit shtron si nevojë fillimin e kurimit të problemeve në nivele të dukshme, të shpallura dhe duke shkuar deri tek shkaqet më indirekte dhe të sofistikuara. Tendenca për ta zgjidhur problemin nëpërmjet modeleve të huazuara nga vende të tjera apo vetëm me pjesëmarrjen e aktorëve politikë, e bën zgjidhjen e problemit të pamundur, pasi sistemi formal ligjor që huazohet nga një vend tjetër, duhet të përshtatet me një kulturë dhe mjedis shoqëror që ende nuk është gati për të. Ky hendek kërkon kohë dhe angazhimin e të gjitha palëve.
Por, për ne shqiptarët koha është shumë e shtrenjtë dhe padurimi për të pritur kohën nxit presionin ndaj aktorëve politikë. Shumë qytetarë janë të interesuar ta shpejtojnë kohën, duke menduar se të vetmit që mund ta realizojnë këtë gjë, janë aktorët politikë. Por për fat të keq, kompleksiteti i fenomenit i prek të gjithë dhe nuk mund të përjashtosh një palë nga përgjegjësia për të anatemuar një palë tjetër. Në këto rrethana, shkaqet e fenomenit duhet t’i kërkojë secili brenda vetes dhe jo jashtë tij.