E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët e UÇK kalojnë në grevë të izoluar

PRISHTINË- Rreth 50 veteranë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës kanë hyrë në ditën e tyre të gjashtë të grevës.

Mediat kosovare bëjnë me dije se këshilli grevist ka paralajmëruar se që nga dita e sotme, nuk do të komunikojë më as me zyrtarë të institucioneve, e as me media. Ndërkohë në ditën e gjashtë të grevës vetaranët kanë përsëritur edhe një herë qëndrimin e tyre se janë të vendosur ta vazhdojnë grevën derisa të realizohen kërkesat e tyre.

Kërkesa kryesore e grevistëve është që Institucionet e Kosovës të miratojnë dhe zbatojnë sa më parë ligjin për vlerat e luftës
“Ne, luftëtarët e lirisë, që jemi në grevë edhe një herë u drejtohemi të gjitha institucioneve dhe popullit të Kosovës se nuk e ndërpresim grevë deri në realizimin e plotë të kërkesave tona. Nuk besojmë më në asnjë marrëveshje gojore dhe nuk lejojmë që kjo çështje të zvarritet. Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që me procedurë të përshpejtuar të sillet në Kuvend projektligji për vlerat e luftës. Sa më shpejt që të jetë e munduar të miratohet ligji duke i marrë parasysh kërkesat tona”,- deklaroi anëtari i këshillit grevist, Ylber Selmani.

Drejtuesit e Këshillit grevist kane deklaruar se numri i grevistëve po rritet, ndërkohë që kanë bërë me dije se gjendja e disa veteranëve në grevë është përkeqësuar.

Përvec kërkesës kryesore që të miratohet dhe zbatohet ligji për vlerat e luftës, grevistes kane parashtruar edhe kërkesa të tjera, si: UÇK-së dhe luftës së saj t’i bëhet njohja politike duke e bërë si kategori kushtetuese; veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të kenë trajtim nga Ministria e Mbrojtjes, e jo nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale; veteranët dhe invalidët e luftës të kenë imunitet dhe të mos kenë ndjekje penale për krime lufte.

Nga mediat vendase mësohet se grevistët të premten i vizituan disa nga përfaqësuesit e grupeve parlamentaret të Kuvendit të Kosovës, të cilët kërkuan që të ndërpritet greva. Nërkohë që nuk ka pasur asnjë reagim nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.
(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›