E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët vazhdojnë grevën

Nga Express më 28 maj 2011 në ora 22:51

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët kanë hyrë në ditën e gjashtë të grevës, kanë paralajmëruar serish institucionet e vendit se nuk do ta ndërpresin grevën deri në miratimin e kërkesave të tyre, madje edhe do të ndryshojnë formën e grevës, pavarësisht se gjendja shëndetësore e grevistëve është e rënduar.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dje për herë të parë janë vizituar nga përfaqësuesit e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Këta të fundit kanë kërkuar nga grevistët që të ndërpresin grevën, duke iu premtuar se do të angazhohen që përmes veprimeve institucionale, do të kontribuojnë në plotësimin e kërkesave, gjë me të cilën nuk janë pajtuar grevistët.

Në një konferencë për media të shtunën, drejtues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të ish-UÇK-së kanë thënë se tashmë numri i grevistëve po rritet dita-ditës dhe njëherësh janë shprehur të vendosur se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave.

Ylber Selmani, anëtar i Këshillit grevist, ka thënë se nëse nuk veprohet shpejt nga institucionet për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë greva do të ndryshojë edhe formatin e saj, ku do të jetë e izoluar për media dhe institucionet e tjera.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të ish-UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka bërë të ditur se nëse nuk ndërmerret diç në këtë drejtim, atëherë greva do të marrë një formë tjetër më radikale. Ai ka shprehur mllefin se si veteranët po neglizhohen nga institucionet e vendit. Qeriqi gjithashtu ka bërë të ditur se gjendja e grevistëve dita-ditës po vjen duke u keqësuar për shkak të kushteve të rënda që janë në tendë.

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, kohë më parë ka deklaruar në emër të Qeverisë së Kosovës, se është çështje e Kuvendit të Kosovës që të merret me Ligjin për vlerat e Luftës, pasi sipas tij, Qeveria e ka kryer punën që i takon.

Sipas tij, Ligji është dashur të miratohet qysh në legjislaturën e kaluar në Kuvend, por vendimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta braktisur koalicioni e ka shtyrë miratimin e këtij ligji.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›