E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët e UÇK-së ende përballen me pasojat e mungesës ligjore

Edhe pas 15 vjetësh të Epopesë së Lavdishme të Komandantit Legjendarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumë luftëtarë të kësaj ushtrie të lavdishme përballen me sfida e probleme të shumta.

Pas më shumë se një dekade, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nisur procesin e verifikimit për të gjithë veteranët e luftës së Çeku. Verifikimi është një ndër kushtet për të bërë ndryshimin e ligjit për kategoritë e dala nga lufta, ligj ky i cili ishte kundërshtuar shumë herë nga veteranët, madje edhe me grevë urie.

Me pasojat e mungesës ligjore, përballen çdo ditë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kryetari i shoqatës së veteranëve, Muharrem Xhemajli, tha për Radio Kosovën se ligji, i cili është aktualisht në fuqi për kategoritë e dala nga lufta, ka vërejtje të shumta, si për invalidët ashtu edhe për familjet e dëshmorëve.

“Nuk janë as familjet e dëshmorëve, as invalidët e as veteranët që duhet të trajtohen si raste sociale por duhet trajtohen në bazë të kontributit dhe punës që kanë bërë”, tha Xhemajli.

Për t`i zgjidhur të gjitha problemet e shumta sociale me të cilat përballen kategoritë e dala nga lufta, është konsideruar se duhet bërë edhe njëherë verifikimi i të gjithë veteranëve, invalidëve e dëshmorëve të UÇK-së. Avdi Gjata, nga Prishtina, është njëri ndër mijëra veteranët që i është nënshtruar procedurës së verifikimit. Ai shpreson se më në fund, do t`i njihet kontributi i secilit që dha mund e sakrificë për çlirimin e vendit.

“Shpresoj se do të jetë një vlerësim real dhe meritat e tyre do t`i marrin të gjithë ata që kanë kontribuuar para luftës, gjatë dhe pas luftës”, tha Gjata.

Edhe kryetari i Komisionit për Verifikim Agim Çeku, procesin e verifikimit e quan të vështirë.

“Do të jetë një proces i vështirë por gjithsesi proces i drejtë dhe në fund Kosova do ta dijë se kush ka qenë luftëtarë për çlirimin e Kosovës, kush ka qenë pjesëmarrës në luftë me forma tjera të mbështetjes, kush ka qenë vërtetë invalid i luftës dhe jo i lënduar dhe kush janë dëshmorët e kombit që kanë rënë në luftë për lirinë e vendit tonë”, tha Çeku.

Pas përfundimit të procesit të verifikimit do të bëhen edhe propozimet për amadamentimin dhe ndryshimin e ligjit në fuqi dhe veteranët pritet që t`i kenë përfitimet e parapara me ligj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›