E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarët e Prishtinës lëvdohen për pengimin e ndërtimeve pa leje, opozita e pakënaqur

Inspektorati komunal i Prishtinës ka bërë të ditur se brenda një viti kalendarik ka bërë rrënimin e 70 objekteve të nisura pa leje. Kjo statistikë në sytë e opozitës dhe të shoqërisë civile nuk është impresionuese, ngase ndërtimet pa leje vazhdojnë gjithandej Prishtinës.

Nehat Bllacaku, drejtor ekzekutiv nga OJQ “Mileniumi i ri”, e cila monitoron punën e Komunës së Prishtinës, ka thënë se puna e kësaj drejtorie ka ngecur.

”Ata po tregohen të ngathët, po punohet shumë pak, ka mungesë të inspektorëve, dhe ka pak analiza”, ka thënë ai, duke theksuar se ka akuza edhe nga ana e qytetarëve për marrje të parave nga ana e inspektorëve, ku kemi raste që objekte të caktuara fillojnë të ‘rrënohen’, e pas disa muajsh ato vërehen se me të vërtetë nuk janë prekur fare”, ka thënë ai.

Sipas tij, në kryeqytet ka uzurpime gjithandej, mirëpo dominojnë zona e Veternikut, e pastaj edhe Banesat e Bardha.

”Në këtë drejtim duhet të ndërmerret diçka nga komuna dhe të ketë më shumë transparencë, sepse ende nuk ka as definim të pronës komunale”, ka thënë Bllacaku.

Mendim të ngjashëm kanë edhe këshilltarë në Kuvendin Komunal të partive opozitare.

Sadri Ramabaja, këshilltar i lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë se Inspektorati komunal duket se është formal.

”Qytetarët tashmë janë dëshmitarë të mosfunksionimit të këtij segmenti të pushtetit lokal”, është shprehur Ramabaja, duke theksuar se hapësira publike e kryeqendrës po tretet çdo ditë.

Ai ka bërë të ditur se disa herë radhazi në kuvendin komunal VV-ja ka parashtruar pyetjen se sa hektarë tokë që janë pronë publike janë uzurpuar dhe keqpërdorur, mirëpo në këtë pyetje asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

”Përpjekjet për parandalim të uzurpimit, madje edhe nga grupe të interesit që thirren në Zot, si rasti i xhamisë në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Mat, edhe atëherë kur Komuna e ka mbështetjen e qytetarëve, kanë dështuar”, ka thënë Ramabaja.

Sipas tij, ngritja e objekteve shumëkatëshe, por edhe e objekteve tjera të banimit në parcela publike apo edhe në shpërputhje me planet rregullative urbane. Ai ka thënë se përkundër interesimit për të ditur sa hapësirë publike është uzurpuar, nuk ka marrë përgjigje zyrtare.

“Zyrtarisht kam kërkuar që të më jepet përgjigje se sa hapësirë publike është uzurpuar vetëm skaj rrugës që shpie nga shkolla ‘Mileniumi i tretë’ e deri te vila ‘Panorama’. Aty bëhet fjalë për uzurpime masive, por edhe për raste që tashmë janë objekt gjykatash. Por, aspak më mirë nuk është as në lagjet tjera si ‘Prishtina e re’, ‘Veterrnik’ dhe të tjera”, ka thënë ai.

Shemsi Veseli, këshilltar nga radhët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka thënë se brengën për punën e inspektoratit ai disa herë e ka shprehur edhe nëpër mbledhje të kuvendit komunal.

”Më herët patën filluar me largimin e disa shkallëve, karrigeve, dhe të tjera, por përsëri e kam përshtypjen se nuk ka përgjegjësi në këtë drejtori, dhe duke u gjykuar edhe më herët se njihet si drejtori për të cilën ka pasur edhe fakte që janë korruptuar”, ka thënë Veseli.

”S’janë në nivelin e përgjegjshëm, fillojnë ndërtime të ndryshme pa leje në qytet dhe askush nuk i pengon, duke rrezikuar kështu edhe interesin publik”, ka shtuar ai.

Ai ka deklaruar se 4 herë radhazi në mbledhjet e kuvendit komunal ka paraqitur ankesa të qytetarëve të cilëve edhe u është rrezikuar shëndeti nga papërgjegjësia e kësaj drejtorie, mirëpo asgjë nuk ka ndryshuar.

”Për prona të uzurpuara mos të flasim, është tmerr, e nga krejt kjo vjen dyshimi se dikush ka leverdi nga individë të caktuar në komunë, prandaj edhe tolerohen këto”, ka thënë Veseli.

E këto akuza, Muhamet Gashi, drejtor në Drejtorinë e Inspektoratit, i ka cilësuara të pabaza.

”Akuzat duhet të jenë të adresuara saktë për këto dukuri, sepse vetëm gjatë vitit të kaluar nga inspektorati janë rrënuar rreth 70 ndërtime të ndryshme të filluara pa leje, si dhe janë kryer rreth 700 intervenime në lirimin e hapësirave publike në lagje të ndryshme te qytetit”, ka thënë Gashi./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›