Veteranët, viktimë e zgjedhjeve

Verifikimi i njohjes së statusit të pjesëtarëve të UÇK-së i filluar në nëntorin e vitit të kaluar, me gjasë do të shtyhet deri pas zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Ndonëse ishte paraparë që ky proces të përfundojë brenda 5 muajsh, kjo nuk do të mund të ndodhë për shkak se ky vit është vit elektoral dhe revolta e veteranëve mund të kthehet si bumerang me vota në këto zgjedhje.
Ndërkaq, drejtues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së shkojnë edhe më larg duke kërcënuar se nëse nuk miratohet ligji për vlerat e luftës dhe nëse zvarritet verifikimi i veteranëve, zgjedhjet lokale rrezikohen të mos mbahen, shkruan zëri.
Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë se qysh prej përfundimit të luftës në vitin 1999 e deri më sot, ushtarët e UÇK-së vazhdimisht kanë qenë viktime e politikës. Madje sipas tij, për shkak të kësaj ka pasur edhe pasoja të tjera. “Tashmë janë 44 veteranë, të cilët kanë bërë vetëvrasje e qindra veteranë padrejtësisht akuzohen, dënohen dhe po mbahen nëpër burgje”, ka thënë ai.
“Ky verifikim ka filluar me shumë defekte dhe paqartësi, por nëse nuk përfundon para mbajtjes së zgjedhjeve, tregon se këtu nuk ka asgjë, por është vetëm lojë e radhës politike. E nëse deri para zgjedhjeve lokale nuk miratohet ligji për vlerat e luftës me rekomandimet tona dhe nëse vonohet verifikimi, nuk e besoj që as zgjedhjet lokale do të mund të mbahen”, ka thënë Qeriqi, duke bërë me dije se ky këshill nuk do të rrijë duar kryq e të bëjë “sehir”./Indeksonline/