E Diel, 1 Nëntor 2026

Tonin Vocaj emërohet drejtor i ri i policisë së kryeqytetit

 

TIRANE - Katër muaj pas largimit të Muhamet Rrumbullakut nga drejtimi i Policisë së Tiranës, kreu i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, ka zyrtarizuar dje zyrtarin nr.1 të policisë së kryeqytetit. Drejtues i Parë Tonin Vocaj, që prej ditës së djeshme është kryepolici i njësisë më të madhe vendore të policisë në vend, duke zëvendësuar në këtë detyrë drejtorin e komanduar Hamdi Fiora. Ky i fundit është rikthyer në funksionin që kryente para se të komandohej në krye të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke rimarrë funksionin e drejtorit të Forcave Speciale. Kryepolici i ri i Tiranës, Tonin Vocaj, së fundi ka drejtuar hetimet për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka, ndërsa ka marrë pjesë në dhjetëra raste të tjera hetimesh për ngjarjet më të bujshme e më të rënda në vend. Pas zyrtarizimit të kryepolicit të ri të kryeqytetit, Drejtori i Përgjithshëm, Ahmet Prençi, ka firmosur edhe ndryshime të tjera në radhët e Policisë së Shtetit dhe kryesisht të strukturave vendore. Zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës është emëruar Artan Cuku, i cili do të drejtojë Departamentin e Hetimit të Krimeve në Tiranë. Deri dy ditë më parë, Cuku kryente të njëjtin funksion në Berat, ndërsa më parë ka qenë zëvendësdrejtor i Policisë së Qarkut të Vlorës dhe Fierit. Ai ka punuar edhe në Policinë e Tiranës në Komisariatin 5 dhe 4, ndërsa në këtë të fundit ka pasur një incident me vetëvrasjen e një të ndaluri. Arben Caka është rikthyer në detyrën e Shefit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Vendin e lënë vakant nga Tonin Vocaj në krye të Drejtorisë së Luftës ndaj Krimeve të Rënda e ka zënë ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Drejtues i Parë, Nikolin Bala. Ndryshimet nuk kanë lënë pa prekur edhe disa nga komisariatet e Tiranës, ndër të cilët Dorian Muça është emëruar në krye të Komisariatit nr.1, ndërsa paraardhësi i tij Nikollë Vatnika është transferuar në të njëjtin funksion në Komisariatin nr.2. Adnand Shehu pas një periudhe gati 2-vjeçare është transferuar në komisariatin e rrethit të Krujës. Ndryshime të tjera ka pasur në qarkun e Lezhës, ku zëvendësdrejtori Artan Mehmeti është transferuar në të njëjtin funksion në Vlorë, ndërsa është zëvendësuar nga Çezar Keçi. Bashkë me Keçin në Lezhë është emëruar Asllan Shyti, i cili ka zëvendësuar Ferdinand Dushën, i cili është transferuar shef komisariati në Gjirokastër. Shefi i Komisariatit nr.3, Marjan Laca, ka këmbyer postin me atë të komisariatit të Elbasanit, Ali Allaraj. Po kështu edhe shefi i komisariatit të Dibrës, Sajmir Shehu, ka këmbyer vendin me atë të shefit të Kukësit, Aljedin Omuri.

Emërimet e reja në polici

Tonin Vocaj, Drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë
Hamdi Fjora, Drejtor i Forcave Speciale
Nikolin Bala, Drejtor Hetimi i Krimeve të Rënda
Artan    Cuku, zv/drejtor i Hetimit të Krimeve në Tiranë
Artan Mehmeti, zv/drejtor Hetimit të Krimeve në Vlorë
Artan Hasani, komandohet drejtor në Shkodër
Çezar Keçi, zv/drejtor i Hetimit të Krimeve në Lezhë
Nikoll Vatnikaj, shef i Komisariatit nr.2 në Tiranë
Dorian Muça, shef i Komisariatit nr.1 në Tiranë
Ferdinant Dusho, shef komisariati në Gjirokastër
Asllan Shyti, shef komisariati në Lezhë
Atnan Shehu, shef komisariati në Krujë
Ali Allaraj, shef i Komisariatit nr.3 në Tiranë
Nazmi Shuli, shef sektori në Drejtorinë Tiranës
Marjan Laca, shef Komisariati në Elbasan
Saimir Shehu, shef Komisariati në Kukës
Alejdin Omuri, shef Komisariati në Dibër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›