E Shtunë, 31 Tetor 2026

DAP: Shqipëria, progres të dukshëm në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore



Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore, duke demonstruar përmirësime rrënjësore në identifikimin e viktimave të trafikut. DAP, në raportin e ndërmjetëm vjetor për Trafikimin e Qenieve Njerëzore në botë, ka vlerësuar punën e bërë nga shteti shqiptar për të luftuar këtë fenomen gjatë vitit 2008. Në një konferencë për shtyp, zëvendësministrja e Ministrisë së Brendshme, Iva Zajmi, paraqiti këtë raport, duke shtuar se “gjatë vitit 2008 vendi ynë ka pasur përmirësime në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore”. Sipas saj, në raportin e Departamentit Amerikan thuhet se “qeveria shqiptare ka bërë një progres të dukshëm në përpjekjet e saj për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, qysh prej daljes së Raportit 2008. Veçanërisht, ka demonstruar përmirësime rrënjësore në identifikimin e viktimave të trafikimit”. Qeveria shqiptare, - deklaroi Zajmi, - gjithashtu ka rritur numrin e ndjekjeve penale dhe hetimeve, masat e dënimit të dhëna ndaj trafikantëve kanë qenë të duhura dhe të ashpra. “Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008, qeveria intensifikoi përpjekjet për dhënien e trajnimeve për zyrtarët, duke përfshirë këtu dhe zhvillimin dhe dhënien e një kursi nga Policia Shqiptare e Shtetit. Veç kësaj, qeveria caktoi rreth 20 police femra antitrafik në drejtoritë kundër krimit të organizuar në të gjithë vendin”, - vijoi publikimin e raportit dhe komentimin e tij zëvendësministrja. Më tej, ajo shtoi se “zyrtarët punuan për përmirësimin e funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat e Trafikimit, duke identifikuar të paktën pesë herë më shumë viktima se në vitin e kaluar, si dhe lançoi bazën zyrtare të të dhënave, e cila mbledh informacion mbi menaxhimin e rasteve specifike të trafikimit”. “Qeveria ka rritur financimin e qendrës kombëtare të pritjes së viktimave me 16%. Në korrik, qeveria aprovoi një strategji të re kombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e cila është e mundshme për t’u aksesuar në website-n e ministrisë”, - theksoi ajo. Sipas znj. Zajmi, qeveria e Shqipërisë i merr këto vlerësime të Departamentit të Shtetit, si një mbështetje serioze për përpjekjet e saj për të reduktuar përmasat sociale, humane dhe ligjore të trafikimit në vend. “Qeveria e Shqipërisë shpreh me këtë rast edhe njëherë angazhimin e saj të plotë për të bërë gjithçka, për të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, për të parandaluar shfrytëzimin e personave vulnerabël, si dhe për të ndëshkuar me drejtësi dhe rreptësi shfrytëzuesit e tyre. Në një shoqëri të zhvilluar nuk mund të ketë kompromis me shfrytëzimin dhe skllavërimin njerëzor”, - përfundoi ajo.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›