E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosja: ThaçiKermabon e Feithfajtorë për dhunën

PRISHTINE- “Ndërhyrja brutale nga njësia speciale e policisë e Kosovës të shtunën në zyrën e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Prishtinë, dëshmon se pushteti aktual, në vend që të luftojë krimin e organizuar, lufton organizimin popullor” thuhet në një reagim të lëvizjes Vetëvendosja.
“Në vend se policia të punojë për imponimin e vullnetit të popullit për sovranitet e integritet territorial, ajo është bërë vegël e grupeve kriminale të pushtetit si dhe misioneve të huaja antikombëtare”, thuhet në reagim.
Sipas Lëvizjes “Vetëvendosje”, policia nuk ka guxim të ndërhyjë kundër strukturave paralele, kundër kriminelëve të luftës, kundër krimit të organizuar dhe kundër shefave të korrupsionit, porse “guximin e vetëm e ka që t’i rrahë aktivistët e ‘Vetëvendosje’ me duar të lidhura nëpër veturat dhe stacione policore”.

“Për ndërhyrjen brutale dhe aq të dhunshme të njësisë speciale të Policisë së Kosovës Lëvizja “Vetëvendosje” bën përgjegjës kreun e Qeverisë, Hashim Thaçin, udhëheqësin e EULEX-it, Yves de Kermabonin, dhe Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, Pieter Feith. EULEX-i dhe Pieter Feithi gjithnjë kanë pasur interes të veçantë për ta mënjanuar nga skena politike Lëvizjen “Vetëvendosje” dhe Albin Kurtin. Por tash që Lëvizja jonë e kumtoi rezultatin e debatit lidhur me pjesëmarrjen tonë edhe në zgjedhje, interesi i krerëve politikë të Kosovës për persekutimin e Albin Kurtit është bërë edhe më i drejtpërdrejtë dhe më i dhunshëm, ashtu sikurse që u pa gjatë ndërhyrjes çnjerëzore të policisë dje”, thuhet më tej.
Kjo lëvizje ka paralajmëruar demonstratë më 21 qershor, pikërisht në ditën e gjykimit ndaj Albin Kurtit.
(e.n/telegrafi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›