E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosja protestë me moton “Kundër hajnisë”

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi mbajtjen e një proteste paqësore në Prishtinë të mërkurën e ardhshme, më 22 qershor, me moton “Me protesta kundër hajnisë”. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se protesta drejtohet “kundër hajnisë së qeveritarëve ndaj pronës dhe ardhmërisë së qytetarëve”. Ai theksoi se ka shumë arsye pse qytetarët e Kosovës duhet të dalin në protesta. Sipas Kurtit, vjedhja është e organizuar nga Qeveria, nga e cila nuk kursehet buxheti, pasuria, e as territori i Kosovës. Pas aktakuzave të ngritura ndaj disa udhëheqësve të ndërmarrjeve publike, Kurti tha se po i ngushtohet rrethi edhe kryeministrit Thaçi. Madje, ai nënvizoi se kryeministri Thaçi mund të mbetet në pushtet vetëm përmes këtyre manipulimeve. Paralajmërimet për protesta janë komentuar edhe nga krerët e Qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se çdokush ka të drejtë të protestojë, por protestat duhet të organizohen duke i respektuar edhe ligjet ekzistuese. Deri në ditën e protestës, ‘Vetëvendosje’ paralajmëroi se do të kontaktojë edhe organizatat nga shoqëria civile të interesuara për pjesëmarrje. ‘Vetëvendosje’ është subjekti i dytë opozitar për nga numri i deputetëve në Parlamentin e Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›