Vetëvendosja sot në aksion, mbështetje dhe nga Shqipëria

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Lëvizja Vetëvendosje sot do të zhvillojë protestën për të bllokuar pikat kufitare me Serbinë, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Protesta dhe aksioni i aktivistëve të Vetëvendosjes do të nisë rreth orës 13:00 dhe ka si qëllim ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë. Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, ditë më parë ftuan që në tubimin e tyre të marrin pjesë edhe shqiptarë nga Shqipëria.
Bëhet e ditur se sot rreth orës 07:00 të mëngjesit, dy autobusë janë nisur nga Tirana, për t`ju bashkuar këtij aksioni. Ndërkohë, organizatorët nga Shqipëria thonë se qytetarë të tjerë nga qytetet, Durrës, Vlorë dhe Shkodër janë nisur drejt Kosovës me automjetet e tyre private. Gjatë ditës së djeshme faktorë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të politikës në Kosovë dhe në Shqipëri kanë bërë thirrje që qytetarët të mos i bashkohen këtij aksioni dhe të evitojnë dhunën, gjë që do ta çonte Kosovën mbrapa në axhendën europiane.
Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së Vetëvendosjes, për këtë arsye ka hartuar edhe urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”. Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është siguria e përgjithshme, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmërisë së ligjit, pastaj shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje etj, kurse në fund edhe fokusimi dhe garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.
Policia bëri të ditur se nuk do të lejojë asnjë bllokim të rrugëve si dhe asnjë qasje të protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimin e tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “Vetëvendosje”-s. Policia sqaron se nëse është e nevojshme do t`i ndalojë të gjithë qytetarët që pretendojnë të vijnë nga shtetet fqinje dhe që me veprimet e tyre do të cënojnë sigurinë e vendit si dhe të prishin rendin e qetësinë publike. Ndërkohë që dje, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se protestat nuk do të jenë të dhunshme dhe se ata janë të vendosur, Serbia nuk kalon.