E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosja zbret në Kukës, përpara protestës në Prizren

Tubimi Albin Kurti nuk e kaloi kufirin, sepse mund të arrestohej

Lëvizja “Vetëvendosje” e Kosovës ka organizuar dje në Kukës një demonstratë paqësore në mbrojtje të stemës së qytetit të Prizrenit. Ky aktivitet bëhet vetëm një ditë para protestës së paralajmëruar për në qytetin e Prizrenit, ku një nga qëllimet ishte të siguronte pikërisht sensibilitet dhe pjesëmarrje në të të banorëve të Kukësit, të cilët i lidh fillimi i historisë me këtë qendër gjithëshqiptare. Oratorët e “Vetëvendosjes” thanë se një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nisur nga kërkesa e një këshilltari komunal të Prizrenit me kombësi turke, hiqte emblemën e qytetit të lashtë, që ishte selia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e vitit 1878, pasi sipas arsyetimit të këshilltarit të pakicës turke, emblema nuk përfaqësonte të gjithë komunitetet e komunës. Në tubimin e zhvilluar në Pallatin e Kulturës në Kukës folën drejtues dhe aktivistë të “Vetëvendosje”-s, Xhelal Svelca, Glauk Konjufca, Gani Krasniqi etj., të cilët argumentuan se përpjekjet për heqjen e stemës së qytetit të Prizrenit nuk prekin vetëm këtë qytet, por edhe Kukësin, Shkodrën, Vlorën, Gjirokastrën dhe gjithë trevat shqiptare, pasi lidhja e Prizrenit është ngjarje kulmore e historisë së popullit shqiptar.

Lideri i “Vetëvendosje”-s, Albin Kurti, nuk mori pjesë në manifestin e djeshëm, pasi ishte këshilluar të mos udhëtonte për Kukës për arsye sigurie. Policia e kufirit e Kosovës nuk kishte dhënë siguri se Kurti do të lejohej ta kalonte kufirin, pasi autoritetet e EULEX-it kanë nxjerrë një urdhër arresti për të.

Organizatorët e tubimit të djeshëm thanë se kishin zgjedhur Kukësin, sepse 132 vite më parë, në qershor 1878, forcat popullore të Lumës (sot Kukësi) përbënin mbrojtjen e fuqishme të Lidhjes, ndërsa nuk harruan të përmendin edhe rolin që luajti Kukësi në pranverën e vitit 1999.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›