E Shtunë, 31 Tetor 2026

Halimi: Shqiptarët e Preshevës treguan se janë të përgjegjshëm

Zgjedhjet lokale u bojkotuan nga PDSH e Ragmi Mustafës

Fitoren bindëse në zgjedhjet e para për në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në komunat me popullsi kryesisht shqiptare, të Preshevës, Bujanovcit dhe të Medvegjës, kryetari i Partisë Shqiptare për Veprim Demokratik (PVD), Riza Halimi, në të njëjtën kohë deputet në Parlamentin e Serbisë, në një prononcim në gazetën e përditshme serbe “Danas”, e konsideroi si të pritshme, duke pasur parasysh edhe rezultatet e arritura nga ajo në zgjedhjet lokale të fundit. Sipas tij, më e rëndësishme sesa fitorja e PVD-së, është fakti se shqiptarët u bënë të vetëdijshëm dhe e kuptuan rëndësinë e krijimit të Këshillit Kombëtar të tyre, për sa tregojnë edhe shifrat e pjesëmarrjes së tyre në këto zgjedhje: mbi 75 për qind në Medvegjë, 59 për qind në Preshevë dhe afro 51 për qind në Bujanovc. Lidhur me bojkotimin e këtyre zgjedhjeve nga Partia Demokratike Shqiptare e Ragmi Mustafës, njëkohësisht kryetar i Komunës së Preshevës, dhe nga Bashkimi Demokratik për Luginën të Skënder Destanit, z. Halimi vuri në dukje se të dyja këto parti kanë zhvilluar një fushatë anti-elektorale, ndërkohë që partia e tij pati një kohë shumë të shkurtër për mobilizimin e zgjedhësve, por, sidoqoftë, rezultatet e arritura treguan për kapërcimin e problemeve që, sipas tij, kishin të bënin, në radhë të parë, me përpilimin e një liste elektorale të vetme dhe me përpjekjet për të zhvilluar një proces zgjedhor transparent. Shqiptarët e rajonit, sipas tij, treguan një shkallë të lartë përgjegjësie dhe ndërgjegjësimi për nevojën që të kenë, më në fund, organin e tyre përfaqësues.
Pyetjes se cili do të jetë prioriteti i veprimtarisë së Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, kryetari i PVD-së iu përgjigj, duke vënë dukje se, në radhë të parë, do të jenë problemet lidhur me arsimin. “Fjala është për programet mësimore, tekstet shkollore dhe mosnjohjen e diplomave të fakulteteve të Prishtinës. Probleme ka edhe në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Këto nuk janë çështje që kanë lindur dje, por tani ne duhet t’i zgjidhim ato me një ritëm shumë më të shpejtë. Ekzistojnë probleme edhe në fushën e kulturës, pra në bashkëpunimin me institucionet shtetërore përkatëse të Serbisë. Ne na pret një punë e madhe dhe është shumë e rëndësishme që zgjedhësit e kuptuan këtë”.
Sa i përket asaj se cili do të jetë qëndrimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve ndaj procesit të decentralizimit në Serbisë dhe nëse do të ketë kërkesa specifike në fushën e autonomisë të shqiptarëve në jug të vendit, z. Halimi theksoi se “ligji për këshillat kombëtarë të pakicave është i qartë dhe ai parashikon një autonomi kulturore të caktuar. Ne, sigurisht, në këtë kuadër, do të punojmë për zgjidhjen e problemeve të përmendura më sipër, me të cilat shqiptarët përballën në rajonin jugor të Serbisë. Kam mendimin se me një autonomi më të madhe do të kemi mundësinë që të zgjidhim problemet përkatëse dhe të pakësojmë rreziqet e konflikteve ndëretnike eventuale, që kemi pasur në të kaluarën në këtë rajon”, tha ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›