Berisha uron Pacollin dhe Thaçin
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, i ka dërguar sot një mesazh urimi presidentit të ri të Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe kryeministrit të rizgjedhur, Hashim Thaçi.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës kanë korrur arritje të mëdha historike gjatë kësaj periudhe dhe unë ruaj besimin se, si President i shtetit më të ri të Europës, Ju do të sillni një kontribut të ri në konsolidimin e mëtejshëm të këtyre arritjeve dhe në shndërrimin e Kosovës në një faktor edhe më të rëndësishëm paqeje e stabiliteti dhe promovuese të miqësisë e të bashkëpunimit në rajon.
Gjej rastin t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi tërësisht të angazhuar dhe të vendosur për të ndërtuar marrëdhëniet më të shkëlqyera e vëllazërore dhe për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm ndërmjet të dyja vendeve në shembullin më kuptimplotë të bashkëpunimit, në shërbim të forcimit të paqes, promovimit të miqësisë, zhvillimit e mirëqenies jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë popujve të rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët euroatlantike.
Duke shpresuar t’Ju pres së shpejti në Tiranë, dëshiroj t’Ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë”, shprehet në këtë telegram kryeministri Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë së Shqipërisë Sali Berisha, nuk ka harruar të urojë edhe kryeministrin e rizgjedhur të Kosovës, Hashim Thaçi për rimarrjen e detyrës.
“Detyrat e rëndësishme përpara jush, qeverisë së Kosovës dhe mbarë spektrit politik të vendit tuaj kërkojnë vazhdimin e përpjekjeve të mëdha e gjithëpërfshirëse për realizimin e njohjes së plotë të Republikës së Kosovës, për zhvillimin e gjithanshëm të saj, integrimin në NATO dhe BE, si dhe konsolidimin e vendit tuaj në një faktor edhe më të rëndësishëm të paqes e të bashkëpunimit në rajon”, thekson kryeministri ne mesazhin e tij për homologun kosovar. (abc news)