E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvendosje: Dhuratat e “babagjyshes” Tahiri për Kosovën

PRISHTINË- Lëvizja Vetëvendosje ka bërë sot një përmbledhje të të gjitha dhuratave, siç u shprehen ata, që Edita Tahiri i dhuroi popullit të Kosovës gjatë vitit 2011. Duke e cilësuar atë si babagjyshin e Vitit të Ri, Vetëvendosje bën një analizë të negociatave me Serbinë.
Sipas lëvizje Vetëvendosjes, secili raund i negociatave ishte një hap më tepër në zhbërjen e shtetit të Kosovës.

RAUNDI I - 8 mars 2011
“Edita Tahiri i nisi negociatat me Serbinë që ende nuk na ka njohur. Serbia nuk u kushtëzua për asgjë nga Kosova ndërkohë që me negociata po i lehtësohet rruga për në BE. Negociatat nisën duke e shpërfillur Kuvendin e Kosovës”, vlerëson Vetëvendosje.

RAUNDI II- 28 mars 2011
Në negociata shtohen tema të reja (telekomunikacioni dhe energjetika), ndërsa për temat e raundit të parë (regjistri civil dhe librat kadastral) Edita Tahiri fillon të lëshojë pe dhe shprehet e gatshme që Kosova t’i pranojë vetëm kopjet. Pala serbe mbetet në qëndrimin fillestar: origjinalet e regjistrit civil dhe librave kadastralë mbesin në Serbi.

RAUNDI III - 15 prill 2011
Kartat e identitetit, pasaportat, sigurimi i veturave, patentë-shoferët dhe tabelat e veturave, të gjitha këto çështje të brendshme të Kosovës, bëhen tema në negociata.
RAUNDI IV - 17 maj 2011
Negociatave u shtohen edhe dy tema: personat e pagjetur dhe trashëgimia kulturore e Kosovës. Ajo çka do të duhej të ishte një prej kushteve për të negociuar me Serbinë (kthimi i personave të pagjetur) bëhet temë e negociueshme!

RAUNDI V - 2 korrik 2011
U arritën marrëveshjet e para në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit kishte refuzuar kategorikisht çfarëdolloj marrëveshje që njeh shtetësinë e Kosovës. Në të gjitha marrëveshjet (në atë për regjistrin civil, lëvizjen e lirë dhe pranimin e diplomave universitare), Qeveria e Kosovës hoqi dorë nga të gjitha elementet e shtetësisë dhe sovranitetit për Kosovën.
Detajet e marrëveshjeve, sikurse i gjithë procesi negociator, u mbajtën të fshehta nga qytetarët e Kosovës – sot e atë ditë!

RAUNDI VI - 2 shtator 2011
Edita Tahiri takohet sërish me Borislav Stefanovicin i cili kishte shpërfaqur tashmë edhe në vepër qëndrimin e Serbisë karshi shtetit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës i la vulat doganore pa Republikë të cilën e hoqi edhe nga dokumentet e tjera përcjellëse.
Ndërkohë që në veri të vendit vriteshin e plagoseshin policët shqiptarë, megjithë faktin që edhe vetë Hashim Thaçi deklaroi se dhuna e strukturave paralele në veri është e orkestruar nga shteti i Serbisë, ndaj këtij shteti u bënë kompromise të reja në kurriz të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

RAUNDI VII- 21 nëntor 2011
Vazhdojnë negociatat mbi marrëveshjet e arritura gjatë raundeve të kaluara. Diskutohen edhe marrëveshjet që u arritën më vonë për çështjen e kufijve.

RAUNDI VIII- 30 nëntor 2011
Ndonëse vetë Edita Tahiri kishte deklaruar që me Serbinë nuk do të negociohen çështjet e doganave dhe kufijve, në këtë raund Qeveria e Kosovës e bëri kompromisin e radhës duke hequr dorë edhe më tutje nga shtetësia e Kosovës. Kufiri shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shndërrua në kufi administrativ ndërsa pikat kufitare në pika kaluese.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›