“Vetëvendosje”: Historia nuk tjetërsohet me dhunë

Lëvizja “Vetëvendosje” ka reaguar për incidentin në Kalanë e Shkupit duke dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve shqiptarë në Maqedoni. Në një deklaratë për shtyp lëvizja “Vetëvendosje” thekson se “po i ndjek me shqetësim zhvillimet e sotme në Maqedoni, ku protestës paqësore të shqiptarëve kundër ndërtimit të kishës ortodokse mbi themelet e Kalasë së Shkupit, iu kundërvunë grupe të organizuara maqedonase, të cilët e nxitën situatën në dhunë”.
“Vetëvendosje e konsideron vendimin e Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë për ndërtimin e kishës në themelet e Kalasë së Shkupit, si përpjekje artificiale për tjetërsimin e historisë iliro-shqiptare, në vazhdën e politikës shoveniste maqedonase të nënpërfaqësimit të popullit shqiptar dhe vlerave e traditave të tij”, thuhet në komunikatë.
Më tej në komunikatë thuhet se Lëvizja “Vetëvendosje” përkrah fuqishëm mbrojtjen e Kalasë së Shkupit nga ndërtimet e tilla kozmetike me karakter politik, si e drejtë legjitime e popullit shqiptar, për mbrojtjen e monumenteve historike e kulturore në trojet e veta.
“I bëjmë thirrje Qeverisë Maqedonase që të heq dorë nga politika të tilla provokuese, por të aplikojë një qasje politike ku respektohen të drejtat e popullit shqiptar si popull shtetformues”, thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.