E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje: Nuk na ftuan në takim

Kryeministri Hashim Thaçi me lehtësi i grumbulloi të premten liderët e shumicës së partive politike në një restorant në Prishtinë. Me ta foli për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur . Në tryezën e Thaçit ishin të pranishëm kreu i LDK’ së, Isa Mustafa dhe Nënkryetari i AAK’së, Blerim Shala, por jo edhe Albin Kurti. Në Lëvizjen për Bashkim thanë se u ftuan vonë për takim.

Lëvizja Vetëvendosje ka demantuar lajmin e bërë publik në media të kryeministrit Hashim Thaçi, ku thuhet se edhe Lëvizja Vetëvendosje është ftuar në takimin e mbajtur me krerët e partive parlamentare, që është biseduar rreth çështjeve që kanë dal nga takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar që u mbajt gjatë kësaj jave në Vjenë të Austrisë.

Përfaqësues të kësaj lëvizje, po ashtu u kanë bërë thirrje anëtarëve të partive të koalicionit qeverisës, të gjithë intelektualëve të Kosovës dhe aktorëve të tjerë, që të mos pranojnë të bëhen pjesë e konsensusit të rrejshëm për ta shitur Kosovën në rrafshin politik dhe në atë ekonomik.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri, të shtunën duke folur për takimin e djeshme të kryeministrit Thaçi me liderët e partive pjesëmarrëse në Parlamentin e Kosovës, ka thënë se lajmin e kanë marrë nga mediat, dhe deklarimet se kanë qenë të ftuar, i ka quajtur gënjeshtëra.

“Neve nuk na kanë ftuar dje në këtë takim, i cili është mbajtur në restorant “Librinia”, edhe Mimoza Kusari, edhe Hashim Thaçi kanë gënjyer kur kanë që thënë se Lëvizja Vetëvendosje është informuar. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Enver Hoxhaj mbrëmë në debat, kur ka thënë se Vetëvendosja ka qenë e ftuar. As një ftesë për Lëvizjen Vetëvendosje për këtë takim nuk ka ardhur dhe ne duke e parë se çfarë qëllimi ka pasur takimi dhe duke e parë mënyra se si është organizuar, e kemi kuptuar shumë mirë edhe pse nuk na kanë ftuar. Pra, mos ftesa e jonë ka qenë e qëllimshme, por prapë po e them, më mirë që nuk na kanë ftuar në këtë takim. Për t’i diskutuar këto që janë diskutuar nuk ishim shkuar në atë takim”, ka thënë ai.

Ymeri gjithashtu ka adresuar kritika ndaj Qeverisë dhe kreut të saj, duke thënë se po përgatiten për aktin e fundit të shitjes së Kosovës, si në nivelin politikë, ashtu edhe në nivelin ekonomik.

“Aty u kërkua nga partitë dhe subjektet politike që të nënshkruhet një deklaratë, që do të ishte një mesazh gjëja konsensual nga politika kosovare se ka mbet edhe pak kohë për të përfunduar mbikëqyrja për pavarësinë dhe se partitë mbështesin përmbushjen e obligimeve nga Pakoja e Ahtisarit. Në fakt, Qeveria e Kosovës po përgatitet për aktin e fundit të shitjes së Kosovës, si në nivelin politik, ashtu edhe në nivelin ekonomik”, ka thënë.

Sipas Ymerit, Qeveria aktuale ka dështuar në kryerjen e detyrave të saj që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe për këtë arsye po mundohet të përfshijë të gjitha partitë politike për të arritur konsensuse të ndryshme dhe për ta bartur përgjrgjësinë diku tjetër.

“I bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike, të gjithë deputetëve dhe anëtarëve të partive pjesë të koalicionit, të gjithë intelektualëve të Kosovës dhe aktorëve tjerë, që të mos pranojnë të bëhen pjesë e konsensusit të rrejshëm për ta shitur Kosovën në rrafshin politik dhe në atë ekonomik”, ka thënë ai.

Ndryshe, kreu i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçi, dje pasdite i kishte mbledhur përfaqësuesit e partive politike në vend, për të diskutuar çështjet që kanë dal nga takimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar që u mbajt gjatë kësaj jave në Vjenë të Austrisë. Ftesës së kryeministrit për këtë takim i ishin përgjigjur gjitha partitë politike, përjashtuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Hyxhym te Thaçi

Pak kohë pasi ka folur në Qeverinë e Kosovës për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, Hashim Thaçi nuk e ka pasur të vështirë t`i mbledhë liderët e partive politike në një restorant në Prishtinë.

Aty kanë marrë pjesë lideri i partisë më të madhe opozitare LDK’së, Isa Mustafa, Blerim Shala i AAK’së e Mimoza Kusari e AKR’së dhe partnerët tjerë të koalicionit.

Por, udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti si dhe Presidentja Atifete Jahjaga nuk kanë qenë pjesë e takimit të thirrur nga Kryeministri, i cili është kthyer nga Vjena të enjten, ku ka diskutuar për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë me shtetet anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtuese.

Pas takimit, Kryeministri Thaçi ka thënë se ka gjetur përkrahjen në krejt spektrin politik për të ecur tutje në procesin e finalizimit të pavarësisë.

“Shtatë partitë kryesore politike përshëndesin dhe mirëpresin vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtarë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur gjatë vitit 2012. Ishte një konsultim mes spektrit politik për hapat e mëtutjeshëm që duhet t`i ndërmarrim si Qeveri e Kosovës, si Parlament, si spektër politik. E kam theksuar edhe më herët, e theksoj edhe sot, këtu jemi të involvuar të gjithë”, ka thënë Thaçi.

Por, nuk ka sqaruar pse nuk kanë marrë pjesë zyrtarët e Vetëvendosjes.

“Të gjithë kanë qenë të informuar për takimin, me përjashtim të tyre, të gjithë i janë përgjigjur ftesës”, ka thënë Thaçi.

E zyrtarë të PDK’së, duke folur për mungesën e Shefes së Shtetit Atifete Jahjagës, kanë deklaruar të premten se Presidentja Jahjaga nuk ka qenë pjesë e takimeve të fundit rreth përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Zyrtarë të Qeverisë ndërkaq kanë bërë të ditur se Lëvizja për Bashkim ka refuzuar pjesëmarrjen në takim.

Por Sekretari Organizativ i LB’së Valon Murati ka thënë për gazetën se ftesa u është bërë shumë vonë.

“Na kanë ftuar në ora 12 që të shkojmë në takim në orën 13. Ne e nuk e kemi pasur në agjendë këtë nuk e kemi injoruar takimin” ka thënë Murati për Express.

Edhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, i cili ka dalë nga restoranti bashkë me Nënkryetarin e AAK’së, Blerim Shalën, ka thënë shkurt se i kanë dhënë mbështetje përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.

“Jemi takuar për një deklaratë lidhur me qasjen e heqjes së pavarësisë së mbikëqyrur. Kemi biseduar edhe më parë, jemi pajtuar edhe sot që ne si liderë politikë përkrahim këtë proces dhe procesi të fillojë. Ky ka qenë takimi”, ka thënë Mustafa.

Për mospraninë e Vetëvendosjes ka folur më shumë Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari, e cila ka thënë se subjekti i Albin Kurtit ka qenë i ftuar.

Por, kjo është mohuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu.

Ai ka thënë se askush i Vetëvendosjes nuk ka qenë i ftuar.

“Lidhur me këtë takim nuk kemi pasur kurrfarë njohurie, as ndonjë ftesë. Nuk e dimë se për çfarë takimi bëhet fjalë”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, takimet për çështje të rëndësishme duhet të mbahen në institucione.

“Kryesisht ne i preferojmë pjesët zyrtare – institucionet, është Kuvendi. Janë vendet ku bëhen takimet, janë vendet ku diskutohen çështjet. Pra, është Kuvendi ku do të duhej të diskutohen çështjet e ndryshme”, ka thënë Aliu për televizionin publik.

Ndryshe, Kryeministri para se t`i takonte e përfaqësuesit partiakë, i ka mbledhur vartësit në Qeveri, të cilëve u ka thënë se muaji janar ka qenë muaji i perspektivës, ndonëse gjatë javëve të fundit ka pasur protesta dhe bllokim rrugësh.

“Ishte konkludim i të gjithëve se shteti i Kosovës po konsolidohet dhe forcohet. Është hapur perspektiva e sigurt europiane për Kosovën, se ka të arritura të prekshme, të vlerësuara lart nga të gjithë në konsolidimin e shtetit, forcimin e institucioneve, forcimin e marrëdhënieve me fqinjët. Gjithashtu, edhe për punën e mirë që po bëjmë si Qeveri për kultivimin e frymës tolerante multietnike”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Shefi i Qeverisë ka falënderuar të gjitha shtetet e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, si dhe punën e përfaqësuesit Special të ICO, Peter Feith, për punën e tij korrekte.

Ndryshe, takimi i Grupit Ndërkombëtarë të Krizave është mbajtur të mërkurën, duke i dhënë mbështetje idesë për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Gjatë këtij vitit është paralajmëruar edhe një takim i GDN’së për të parë nëse janë përmbushur të gjitha pikat e Planit të Ahtisaarit, në bazë të të cilit funksionon shteti i Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›