E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje: Raporti i Progresit evidenton korrupsion në të gjitha sferat

Për Lëvizjen Vetëvendosje të gjeturat në Raportin e Progresit për Kosovën nuk paraqesin ndonjë risi, ngase të gjitha faktet e evidentuara aty janë ngritur shumë më parë prej tyre. Zyrtarët e kësaj lëvizjeje thonë se vlerësimet e raportit se korrupsioni ka prekur të gjitha sferat e jetës në Kosovës, është një bazë tjetër e fortë se kjo Qeveri duhet të jap dorëheqje.

Zyrtarja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku konstaton në Raportin e Progresit evidentohen shkelje, parregullsi e korrupsion në të gjitha fushat e jetës shoqërore e politike, si në polici, dogana, administratë publike, shërbime gjyqësore, ku nuk mbeten anash as shëndetësia dhe arsimi.

“ Ky raport evidenton korrupsion në të gjitha sferat e jetës në Kosovë, si në polici, dogana, administratë publike, arsim dhe shëndetësi. Evidenton krim të organizuar, trafikim me narkotikë, trafikim me qenie njerëzore, ndikim politik në gjyqësor, në punësime, ndikimin e politikës edhe në media, keqmenaxhimin e buxhetit, mungesën e planit zhvillimor të politikave të mirëfillta ekonomike. Mandej evidenton edhe një mungesë strategjie apo planit të veprimit për ta bërë Kosovën shtet sovran të mirëfilltë, evidenton edhe mungesën e moszbatimit të ligjeve, etj”, ka thënë Demaku.

Sa i përket gjyqësorit, progresi i shënuar në këtë raport merret vetëm vendimi i Gjykatës Kushtetuese për heqjen e imunitetit të deputetëve, e që Demaku thotë se për Vetëvendosjen kjo nuk është aspak për t’u quajtur progres.

Pasi edhe vetë zyrtarët e qeveritar e pranojnë faktin se Raporti paraqet gjendjen reale, Demaku konsideron se të gjeturat e këtij dokumentin janë një bazë tjetër e fortë se kjo Qeveri duhet të jap dorëheqje.

“Ministrja Çitaku të gjitha këto fakte në këtë raport i ka quajtur reale, për pasojë një zyrtare e lartë e Qeverisë së Kosovës ka pranuar të gjeturat e raportit si fakte të terrenit dhe meqë kjo qëndron Raporti na jep bazë edhe njëherë për të kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie. Por jo vetëm kaq, ne kërkojmë dorëheqjen për arsye se ky raport e ka evidentuar në mënyrë decidive faktin se procesi zgjedhor në Kosovë ka qenë i manipuluar rënd dhe për pasojë ka rënë besueshmëria në proces dhe legjitimiteti i rezultateve është vënë në pikëpyetje”, ka thënë ajo.

Kurse duke e komentuar Raportin për pjesën e ekonomike, Dardan Sejdiu është shprehur se në këtë dokument qartazi theksohet paaftësia e kësaj qeverie për të zvogëluar papunësinë, mandej keqmenaxhimi i buxhetit, mungesa e planit zhvillimor e politikave te mirëfillta ekonomike dhe shumë tjera.

“Konstaton gjendjen e cila në aspektin ekonomik është e tmerrshme, nuk ka ide të qartë se si të dilet nga kjo gjendje, për më shumë futet në rendin e borxheve më të mëdha dhe projekte të cilat askush nuk i pëlqen ose parapëlqen, me projekte të cilat nuk sjellin vende pune, po projekte që gjenerojnë shpenzime edhe më të mëdha për një buxhet, ashtu kështu të menaxhuar keq”, ka thënë Sejdiu.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›