“Vetëvendosje”: Të bëhet hetim i zgjedhjeve

Lëvizja “Vetëvendosje” rithekson se zgjedhjet parlamentare në Kosovë nuk ishin demokratike dhe të ndershme, dhe se rezultatet e tyre ishin të bazuara në një mashtrim gjithëpërfshirës, sistematik dhe të organizuar.
Në një komunikatë të “Vetëvendosjes”, theksohet se në vend që të iniciohet një hetim mbi votimin e shumëfishtë dhe mbushjen e kutive me vota të parapërgatitura, KQZ-ja po legjitimon krimin duke bërë rinumërimin e pjesshëm të kutive, shumë prej të cilave kanë qenë të hapura dhe lehtësisht mund të jenë mbushur edhe me fletëvotime jolegjitime gjatë bartjes.
“Ky vendim, si dhe vendimi që të mbahen rizgjedhje në vetëm 5 komuna të Kosovës, është i pjesshëm, me qëllim që të mbulohen dhe legjitimohen manipulimet në pjesë të tjera të vendit”, thuhet më tej në këtë komunikatë.
Lëvizja “Vetëvendosje” i bën thirrje KQZ-së që të fokusojë veprimet e veta në hetimin e krimit që ka ndodhur më 12 dhjetor, në mënyrë që përgjegjësit të japin llogari.
“I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos mbështesin këtë rinumërim të pjesshëm dhe këtë shpëlarje të votave, por të mbështesin kërkesat për hetim të pavarur dhe transparent të krimeve që u bënë gjatë këtyre zgjedhjeve”, thuhet në fund të komunikatës së Lëvizjes “Vetëvendosje”.