'Vetëvendosje i takon qytetarëve të Kosovës'
(E plotësuar) Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 6-vjetorit të themelimit, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje në një mur të improvizuar ritheksuan kërkesat e tyre për vetëvendosjen e popullit shqiptar dhe kundërshtimin ndaj negociatave me Serbinë.
Derisa dje u festua Dita e çlirimit të Prishtinës dhe sheshi “Nëna Terezë” ishte stolisur me flamuj të shtetit të Kosovës, të dielën me rastin e shënimit të gjashtë vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistë të kësaj lëvizjeje kanë hequr flamujt e shtetit të Kosovës dhe në vend të tyre kanë vendosur flamuj të shumtë kombëtar.
Krahas përurimit të Monografisë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe hapjes së një ekspozite me foto nga aktivitetet e kësaj lëvizjeje gjatë këtyre gjashtë vjetëve të themelimit, aktivistë të Vetëvendosjes kanë rishkruar në një mur të improvizuar kërkesat e tyre.
Deputeti i kësaj lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës, Visar Ymeri, ka thënë për Kosovapress se kjo lëvizje për gjashtë vjet të ekzistimit ka arritur të kryejë një punë shumë të madhe në vetëdijesimin e qytetarëve për, siç tha ai, të këqijat e procesit politik.
“Gjashtë vjet prej që kemi ekzistuar Lëvizja Vetëvendosje mbi 15 demonstrata gjithë popullore mbi 220 aktivitete ose aksione protestuese ose simbolike edhe kemi mbajtur mbi 550 tubime me qytetarë dhe në këtë drejtim konsideroj se Lëvizja Vetëvendosje për një kohë relativisht të shkurtë d.m.th për gjashtë vjet ka arritur të kryejë një punë shumë të madhe, veçanërisht në vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës për të këqijat që procesi politik i cili është imponuar dhe po i imponohet Kosovës ia sjellë vendit edhe mirëqenies edhe lirisë së popullit”, ka thënë Ymeri.
Për më tepër, Ymeri theksoi se Lëvizja Vetëvendosje iu takon qytetarëve të Kosovës dhe synon aktivizimin e tyre për ndryshimet rrënjësore për çka ajo ka qenë e angazhuar gjatë këtyre viteve.
“Në këtë drejtim natyrisht që Lëvizja Vetëvendosje ka qenë një lëvizje e cila i takon qytetarëve të Kosovës dhe është një lëvizje, e cila synon aktivizimin e secilit qytetar të Kosovës për ndryshimet rrënjësorë për të cilat ne kemi qenë të angazhuar para 6 vjetëve dhe vazhdojmë të jemi të angazhuar edhe sot”, ka thënë Ymeri.
Lëvizja Vetëvendosje aktualisht është duke u marrë me procesin e brendshëm zgjedhor.
Konjufca: Fitorja varet nga puna dhe serioziteti ynë
Lëvizja Vetëvendosje, me rastin e kremtimit të gjashtë vjetorit të themelimit, të dielën ka promovuar monografinë “Drejt Vetëvendosjes”, në të cilën janë përmbledhur fotografi që në mënyrë kronologjike tregojnë për aktivitetet e kësaj Lëvizjeje. Me këtë rast u tha se Vetëvendosje është më e fortë se kurrë dhe se po vazhdon të zgjerohet çdo ditë e më shumë.
Aktivisti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka folur rreth rrugëtimit të kësaj Lëvizjeje që nga themelimi e deri më sot, duke thënë se ka qenë një rrugë me plot përpjekje e pengesa dhe me disa arritje modeste, por me më shumë arritje që priten të realizohen në të ardhmen.
“Kjo ecje nuk ka qenë aspak e lehtë, por rrugë tjetër nuk ka dhe nuk ka rrugë deri te sovraniteti dhe liria që të jetë e shtruar me lule. Në fillim ishim dhjetëra, pastaj u bëmë qindra, e më pas dhjetëra-mijëra. Nesër presim të bëhemi qindra-mijëra dhe kështu deri në përmbushjen përfundimtare të qëllimeve tona politike”, është shprehur Konjufca.
Për më tepër, Konjufca ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur që të ecë në rrugën e saj përpara me seriozitet të plotë.
“Regjimi fillon të shpifë dhe të etiketojë. Kjo simptomë është se ai vetë po e humb popullin dhe së paku fillon ta frikësojë popullin për ta shkëputur nga përfshirja jote duke të kategorizuar si gogol. Nëse t’i forcohesh do të kthehet Serbia, nëse ti fiton do të kthehet komunizmi e kështu me radhë. Për fazën e fundit, nuk do të flas, sepse ajo më nuk varet tashmë nga efektiviteti i regjimit, por ajo varet nga puna dhe serioziteti ynë”, ka thënë Konjufca.
Duke përmendur formimin e 450 pikave të Vetëvendosjes nëpër Kosovë dhe diasporë, Konjufca theksoi se Lëvizja Vetëvendosje është më e fortë se kurrë dhe se po vazhdon të zgjerohet çdo herë e më shumë.
“Të gjitha këto që i thash mund t’i gjeni pa fjalë, por me fotografi në këtë monografi, e cila e përmbledh lindjen, zhvillimin dhe rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, është një përmbledhje fotografish, e cila në mënyrë kronologjike tregon aktivitetin tonë politik dhe meqë është fotografi nëse e shfletoni shumë shpejt mund t’iu duket edhe si film”, ka thënë Konjufca.
Për më tepër, Konjufca tha se “meqë nuk duan të kenë pompa benzine dhe nuk duan të merren me krim e kontrabandë, janë të shtrënguar që këtë libër të shesin”.
Në kuadër të aktiviteteve me rastin e gjashtë vjetorit të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje, në sheshin “Nënë Tereza” është hapur një ekspozitë me fotografi, të cilat tregojnë për veprimtarinë e kësaj lëvizje që nga themelimi, duke u nisur nga demonstratat dhe aksionet e shumta. Ndërsa, në mbrëmje pikërisht në këtë shesh do të organizohet edhe një koncert.
Gjatë këtyre 6 viteve Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar gjithsej 15 demonstrata popullore, i ka kryer mbi 200 aksione protestuese, i ka mbajtur mbi 1000 tubime me qytetarë. Gjatë këtij rrugëtimi 6 vjeçar janë arrestuar përmbi 300 aktivistë, ndërkohë që në demonstratën e 10 shkurtit janë vrarë Arben Xheladini dhe Mon Balaj e janë plagosur 80 demonstrues të tjerë.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, e cila mori pjesë për herë të parë në këto zgjedhje, u bë pjesë e Parlamentit të Kosovës.