Vetëvendosje, mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Thaçi

Në një konferencë për media të dielën, deputeti i kësaj Lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës Visar Ymeri ka paralajmëruar se që nga e hëna do të fillojë me mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të paraqitur mocionin e mosbesimit.
“Mbledhjen e nënshkrimeve do ta fillojmë menjëherë dhe natyrisht që do të takohemi me kryetarët e grupeve parlamentare, por edhe me deputetët individual ky është një qëndrim parimor politik i Lëvizjes Vetëvendosje dhe duke u nisur nga ajo që kemi kuptuar deri tash edhe nga grupet parlamentare veçanërisht nga ato opozitare pra kundërshtimi i tyre karshi negociatave karshi marrëveshjeve që po i sjell Qeveria e Kosovës, por edhe përgjithësisht karshi kësaj mënyre të qeverisjes që ka instaluar kryeministri Hashim Thaçi në Kosovë, atëherë do të kishte me qenë e logjikshme të përkrahet kjo”, ka theksuar Ymeri.
Ai ka bërë të ditur se gjithashtu, në javët në vijim, Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë tubime me qytetarë, aksione protestuese por edhe demonstrata kundër këtyre marrëveshjeve. Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të premten mbrëma në Bruksel arritën marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve. Në tekstin zyrtar të BE-së propozimi i cili fillimisht është quajtur menaxhim i integruar i kufirit, më vonë i zbutur në menaxhim të integruar të vendkalimeve kufitare zyrtarisht dhe formalisht quhet menaxhim i integruar i pikave të kalimit, andaj fjala kufi më nuk qëndron në tekstin e marrëveshjes.
BE-ja ka konfirmuar se si koncept i njëjti do të implementohet gradualisht dhe praktikisht sa më parë që të jetë e mundur. Kundër kësaj marrëveshjeje kanë reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat mos përmendjen e kufijve të Kosovës si shtetëror e quajnë shkelje të Kushtetutës. / Kosovapress/