Vetëvrasja e dëshmitares së “Jehovait”, Violeta, inicioi hetimin
06/03/2005 Nismën e Prokurorisë së Tiranës për fillimin e hetimit ndaj ndikimit të mundshëm të literaturave të sekteve të ndryshme fetare në vetëvrasjet e frekuentueseve të këtyre kulteve, e bëri sekuestrimi i disa revistave të “Jehovait”, që ishin përdorur nga 28-vjeçareja Violeta Aga, që qëlloi katër herë në bark me thikë. Sipas burimeve të Prokurorisë së Tiranës, në banesën e 28-vjeçares u gjetën një sasi e madhe fletëpalosjesh me literaturë të ideologjisë së sektit fetar “Jehovai”. Madje, aty u gjetën edhe përkthime të disa literaturave të huaja të këtij sekti. Ndërkaq, familjarët e saj pohuan para hetuesve se, Violeta kishte kohë që frekuentonte këtë sekt dhe ishte mjaft e dhënë pas ideologjisë së tij, sqarojnë burimet. Nisur nga ky rast, Prokuroria e Tiranës nisi zyrtarisht hetimin për ndikimin e mundshëm të këtyre literaturave në personalitetin e disa të vetëvrarave. Sipas Prokurorisë, dyshohet se kjo ideologji ku premtohet parajsa pas vdekjes, të jetë bërë shkak për vetëvrasjen e disa vajzave kohët e fundit, që kanë qenë frekuentuese të këtyre sekteve fetare. Por hetuesit pohojnë se, fillimisht këto literatura do të ekspertohen nga psikologë dhe sociologë, të cilët do të konkludojnë nëse ka tejkalime që mund të kenë shkaktuar devijacione sjelljeje tek të vetëvrarat. Gjithashtu do të verifikohen të gjitha sektet fetare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Tiranë dhe do të sekuestrohet literatura e tyre, që do t’i nënshtrohet ekspertimit dhe hetimit të Prokurorisë. Burimet përfundojnë se, nëse konkludohet që në këto literatura ka tejkalime që mund të shtyjnë frekuentuesit e sekteve fetare drejt vetëvrasjes, atëherë do të merren masa ligjore deri në moslejimin e ushtrimit të aktivitetit.