E Hënë, 2 Nëntor 2026

Hetimi i sekteve fetare, kërkohet eksperienca e huaj

06/03/2005  Vetëvrasjet, do të merret informacion për raste të ngjashme me ato të ndodhura kohët e fundit

Prokuroria e Tiranës do ta shtrijë hetimin lidhur me ndikimin e mundshëm të sekteve fetare te vetëvrasjet e kohëve të fundit të disa vajzave edhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Do të kërkohet informacion nga vende të ndryshme, ku këto sekte ushtrojnë aktivitetin për ngjarje të ngjashme me ato të ndodhura kohët e fundit, ku rreth gjashtë frekuentuese të këtyre kulteve kanë tentuar vetëvrasjen. Qëllimi është konkludimi nëse ka pasur apo jo raste të ngjashme edhe jashtë kufijve me pjesëtarë të këtyre sekteve dhe për të parë se si është vepruar nga drejtësia e këtyre vendeve, duke marrë një shembull për hetimin. Kjo, pasi është hera e parë që Prokuroria shqiptare nis hetimin për ndikimin e mundshëm të literaturave të këtyre sekteve në vetëvrasjet e frekuentuesve, ku premtohet parajsa pas vdekjes.

Hetimi

Me ekspertimin e brendisë së literaturës së teksteve të sekteve të ndryshme fetare, do të merren specialistë të fushave të psikologjisë dhe të sociologjisë. Por një tjetër pistë ku Prokuroria do të përqendrojë hetimin, do të jetë edhe verifikimi i rasteve të mundshme të ngjashme të ndodhura jashtë vendit. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se ky informacion do të kërkohet për të pasur një njohuri më të madhe rreth hetimit. Kjo për shkak se është hera e parë që hetohet një çështje e tillë, thonë burimet. Ato shtojnë se eksperienca e vendeve të tjera do të jetë e vlefshme për veprimet hetimore që do të kryhen. Sektet fetare e kanë fillesën e tyre në Shqipëri pas viteve ’90 dhe krerët e tyre fillimisht kanë qenë të huaj. Pikërisht nga drejtësitë e vendeve ku këto sekte kanë aktivitet më të zgjeruar, do të kërkohet informacion nëse ka pasur raste të ngjashme me ato të ndodhura në Tiranë e disa rrethe të vendit kohët e fundit. Do të kërkohet dijeni nëse ka pasur ndonjë ndalim të ushtrimit të aktivitetit të këtyre sekteve në vendet e tjera dhe do të kërkohen precedentët që mund ta kenë sjellë. Pastaj përvoja e drejtësisë së shteteve të tjera do të ballafaqohet me hetimin e Prokurorisë shqiptare për këtë çështje.

Krahasimi

Burimet shprehen se nëse do të njoftohen edhe për raste të tjera të ndodhura jashtë vendit, ku është konkluduar se vetëvrasje të frekuentueseve të këtyre sekteve mund të jenë shkaktuar si pasojë e njohjes me ideologjinë e literaturave, atëherë, kjo do të jetë një nismë për forcimin e dyshimeve se edhe këto raste mund të kenë ardhur si pasojë e këtij fakti. Ndërsa, nëse nga informacionet e përcjella me anë të letër-porosive nga drejtësitë e vendeve e tjera, do të mësohet se nuk ka pasur asnjë rast kur persona të ndryshëm të jenë vetëvrarë për shkak të njohjes me këto literatura, atëherë hetimi do të përqendrohet në gjendjen sociale dhe mentalitetin shqiptar. Burimet sqarojnë se në këtë rast do të verifikohet ndikimi i ideologjisë së këtyre sekteve në personalitetin si dhe në kushtet kulturore dhe materiale në të cilat ata jetojnë. Por, edhe nëse do të rezultojë se jashtë nuk ka pasur precedentë të tillë, nuk është se hetimi do të devijojë, sqarojnë burimet. Pasi personaliteti dhe kultura e popujve të ndryshëm mund të mos jetë i njëjtë dhe për këtë shkak e njëjta ideologji mund të ndikojë ndryshe tek ata, përfundojnë burimet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›