E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Lamaj", një dosje me dy atentate

06/03/2005  Dyshohet të jetë një “dorë” e vetme që donte vdekjen e biznesmenit

Bashkohen provat materiale të gjetura në dy vendngjarjet e dy atentateve kundër biznesmenit të njohur dhe presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lamaj. Tani një dosje për dy atentatet, që kanë pesë muaj diferencë. Dyshimet e ngritura mbi lidhjen mes këtyre atentateve dhe objektit të tyre, duket se janë forcuar pas disa provave materiale që ka arritur të sigurojë Prokuroria. Për këtë shkak dyshohet që të fshihet e njëjta dorë në të dyja rastet, ndonëse nuk është arritur të konkludohet në një emër konkret në bazë të provave. Gjithashtu, policia dhe prokuroria nuk kanë arritur në një version zyrtar, lidhur me motivin që mund të ketë çuar në atentatet ndaj Lamajt.

Hetimi

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bashkangjitur provat materiale dhe informacionet mbi atentatin te TVA-ja më 15 tetor të vitit të kaluar, me ato të sekuestruara në ashensorin ku shpërtheu eksplozivi, që u mori jetën Vajdin Lamajt dhe mikut të tij, Artan Arsi. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se bashkimi i këtyre dosjeve është bërë pas konfirmimit të dyshimeve, se dy atentatet kishin lidhje me njëri-tjetrin dhe se objekt i tyre dyshohet të ketë qenë biznesmeni Vajdin Lamaj. Burimet thonë se kanë prova për të vëtetuar dyshimet mbi lidhjen e atentateve, por që nuk i bëjnë publike, për shkak të sekretit hetimor. Burimet shtojnë se dyshohet që pas dy atentateve, ku Lamaj një herë u plagos dhe në të fundit humbi jetën, të fshihet e njëjta dorë. Por ende nuk është arritur të konkludohet në një emër konkret, ndaj të cilit të disponojnë prova të mjaftuehme për të profuar------ autorësinë. Burimet thonë se, deritanimë hetuesit e Krimeve të Rënda kanë në dorë informacione të marra në rrugë operative lidhur me autorët e mundshëm që dyshohen. Por nuk ka asnjë provë materiale për të konfirmuar këto dyshime. Gjithashtu, nuk përjashtohen edhe pista të tjera të mundshme, si për shkak të biznesit të larmishëm që Lamaj poseidonte, thonë burimet. Paralelisht po hetohet dhe verifikohet në të gjitha pistat e mundshme, pohojnë burimet e organit qendror të akuzës.

Provat

Gjatë atentatit të parë te TVA-ja në tetorin e kaluar, Lamaj dhe inxhinieri i njohur, Xhevahir Ngjeqari, u plagosën lehtë në shkallët e prapme të televizionit, ndërsa po dilnin për të pirë kafe të shoqëruar edhe nga gazetari Arian Çani, i cili i kishte të ftuarit e emisionit “Zonë e Lirë”. Atentatorët, të cilët ndodheshin në një autoveturë, kanë derdhur breshëri kallashnikovi ndaj tyre. Sipas Prokurorisë, ata e dogjën dhe e braktisën makinën, duke u larguar me një tjetër autoveturë. Por, ndonëse mjeti u dogj, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy karikatorë të mbushur, të cilët ishin të ngjitur me njëri-tjetrin me nastro. Pikërisht në nastro, hetuesit arritën të sekuestronin gjurmë gishtash, të cilat pas krahasimit rezultuan të ishin të personave të paskeduar më parë nga policia. Gjithashtu ato rezultuan të mos ishin as të personave të shoqëruar atëherë, që u dyshuan si autorë të mundshëm. Ndërsa këtë herë hetuesit sekuestruan vetëm tesha dhe sende personale të viktimave, pasi nuk u gjet asnjë gjurmë e autorëve. Vetëm një kaskë celulari “Siemens” është e vetmja provë që dyshohet të jetë e telefonit të montuar në eksploziv, me anë të të cilit u mundësua shpërthimi. Burimet përfundojnë se do të kërkohet autori i dyshuar në të gjitha këto prova, të cilat do të verifikohen dhe ekspertohen imtësisht.

Dyshimi

Atentatorët te TVA-ja me “pagesë”

Pas sekuestrimit të gjurmëve të gishtërinjve të autorëve të atentatit te TVA-ja, ku mbetën të plagosur Lame dhe Ngjeqari, Prokuroria hodhi dyshimet se vrasësit mund të ishin me pagesë. Kjo, pasi nga krahasimi i tyre me ato të personave të skeduar, rezultuan të mos i përkisnin asnjërit. Gjithashtu, edhe gjurmët e të shoqëruarve nuk korresponduan me ato të gjetura në vendngjarje. Pas këtyre verifikimeve, policia dhe organi i akuzës ngritën dyshimet se, autorët e atentatit te TVA-ja, mund të kishin qenë të paguar nga ndonjë tjetër person. Por, ndonëse u ngritën disa pista dhe dyshime mbi ngjarjen, nuk u arrit të konkludohej ndonjë emër apo motiv konkret dhe dosja iu delegua policisë për plotësim me prova. Ndërsa tek atentati i së hënës, nga këqyrja dhe ekspertimi i vendit të ngjarjes, u konkludua se autorët kanë qenë profesionitë dhe të specializuar në fushën e shpërthimeve. Gjithashtu dyshohet që ata të kenë përdorur mjete të sofistikuara për realizimin e atentatit, duke u nisur që nga cilësia e eksplozivit, që mendohet të ketë ardhur nga jashtë. Burimet thonë se atentati që mori jetën e Lamajt, dyshohet të jetë organizuar prej kohësh dhe është kryer nga disa persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Verifikimi

Identifikimi i numrave që aktivizuan eksplozivin, prova e vetme

Duket se hetimi për gjetjen e autorëve të dyshuar të atentatit ndaj Vajdin Lamajt dhe mikut të tij, Artan Arsi, është identifikimi i numrave që aktivizuan shpërthimin e eksplozivit. Burimet e Prokurorisë thonë se, nëse do të arrihet të identifikohet numri që është përdorur nga autorët për të thirrur numrin e celularit të montuar në eksploziv dhe këtë të fundit, atëherë mund të ketë ndonjë shpresë për të çuar në zbulimin e personave që i kanë blerë. Dhe, nëse do të arrihet të identifikohen blerësit e numrit, atëherë hetimi do të arrijë shumë afër autorëve të dyshuar, thonë burimet e organit të akuzës. Ndërkaq, dyshimet se numrat kanë qenë të papërdorur, kanë lehtësuar verifikimin. Kjo, pasi do t’u kërkohet kompanive celulare në vend që të identifikohen të gjithë numrat që janë blerë pas atentatit te TVA-ja dhe deri të dielën e shkuar, të cilët nuk janë vënë në përdorim. Por janë kryer thirrje telefonike me ta vetëm të dielën dhe në orët e para të ditës së hënë, kur ndodhi atentati. Burimet thonë se do të bëhet përjashtimi i numrave, ndërsa do të kërkohet verifikimi i atij numri që nuk është përdorur, që ka kryer apo ka marrë thirrje pikërisht në momentin që ka shpërthyer eksplozivi, në orën 00.30 të së hënës së kësaj jave.

Disa muaj për të përgatitur ekzekutimin e 28 shkurtit

Pas konkludimit paraprak të dyshimeve për lidhjen mes dy atentateve ndaj biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj, mendohet se për organizimin e këtij të fundit mund të jenë dashur disa muaj. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, nga ekspertimi i vendit të ngjarjes, u konkludua se gjithçka ka qenë e mirëdetajuar më pare, me imtësinë më të vogël, me qëllim që objektivit të atentatit të mos i mbetej asnjë shans për të shpëtuar. Burimet sqarojnë se dyshohet që hartimi i kësaj mënyre ekzekutimi mund të ketë filluar pas atentatit te TVA-ja. Prej kësaj kohe dyshohet se më shumë persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë skicuar planin e atentatit dhe kanë siguruar mjetet e nevojshme. Kështu dyshohet që eksplozivi, i cili ishte i një cilësie të veçantë, mund të jetë siguruar jashtë shtetit, pasi në Shqipëri nuk ka të tillë. Gjithashtu nga rindërtimi i skemës së vendit të ngjarjes, dyshohet të kenë bashkëpunuar disa vetë. Burimet pohojnë se mund të jenë përdorur edhe mjete të sofistikuara, si mikrokamera të vendosura në ashensor, pamjet e të cilave mund të ndiqen me kompjuter portativ. Dhe numrat telefonikë celularë dyshohet të kenë qenë të papërdorur, me qëllim që të mos mbetej asnjë shans për ndonjë thirrje aksidentale, që mund të aktivizonte eksplozivin në momentin e gabuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›