Fuoristrada bie në humnerë, vdesin at e bir, 3 të plagosur
QAFË-KËRRABË/ Familja maqedonase po udhëtonte nga Rinasi në drejtim të Strugës. Shoferi parakaloi në kthesë
ELBASAN- Dy të vdekur dhe tre të plagosur rëndë kanë qenë pasojat e aksidentit tragjik të regjistruar rreth orës 13:30 në një nga kthesat e rrezikshme të Qafë-Kërrabës, jo shumë larg Urës së Petreshit. Familja maqedonase ka qenë duke u kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet aeroportit të Rinasit për në vendlindje në Strugë
Sasha Stefanoski, 55 vjeç, dhe babai i tij Vaso Stefanoski 75, vjeç kanë gjetur vdekjen, ndërsa kanë mbetur të dëmtuar rëndët dy fëmijët e drejtuesit të mjetit, Maria 14 vjeç, Filipi 10 vjeç, si dhe daja i tyre Marian Motovski.
Për drejtuesin dhe të atin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, pasi makina ka "fluturuar" dhe është rrokullisur për afro 200 metra, ndërsa tre të aksidentuarit rëndë janë dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.
Policia rrugore e mbërritur në vendin e ngjarjes ka ndërtuar edhe skenën e aksidentit fatal që mendohet të ketë ardhur prej një parakalimi të gabuar në kthesë dhe përballjes së papritur me mjetin tjetër.
Mjeti tip "Land Rover" fuoristradë me targa amerikane PHOMAS 522 MGH i drejtuar nga Sasha Stevanoski ka parakaluar në një nga kthesat e Qafë-Kërrabës mjetin tip "Benz" me targa EL 0433 C. Por duke qenë kthesë, nuk ka pasur mundësi të shohë automjetin që vinte në kahun e kundërt dhe si rrjedhojë në momentin që ishte në parakalim është përballur me mjetin me targa TR 8711 I.
Drejtuesi i mjetit "Land Rover" është përpjekur të manovrojë, por nuk ka mundur dhe si rrjedhojë është përplasur me mjetin "Benz" që vinte në kahun e kundërt të tij dhe më pas ka dalë nga rruga duke "fluturuar" për disa metra, e duke rënë në humnerë e më pas duke u rrokullisur për qindra metra.
Nxjerrja e të lënduarve dhe viktimave nga makina ka qenë e vështirë për shkak të relievit të thyer. Të kthyer nga emigracioni ata kishin zgjedhur rrugën më të shkurtër nga Tirana për në Strugë. Valixhet dhe mjetet e tyre janë shpërndarë në të gjithë territorin ku është rrokullisur automjeti.
Trauma e madhe që ka përfshirë dy fëmijët të cilët kanë humbur në aksident të atin, ka qenë më e vështirë se plagët e marra nga rrokullisja e mjetit. Mësohet se pasi kanë marrë mjekimin, të dëmtuarit janë nisur drejt Maqedonisë për të marrë një mjekim më të specializuar.
Ndërkohë, dyshohet se veç mosnjohjes së rrugës, kthesës së rrezikshme, edhe lagështira ka luajtur rolin e saj duke mos i dhënë mundësi drejtuesit të frenojë për të mos dalë nga rruga. Ky segment ka sjellë shumë viktima nga aksidentet për shkak të mungesës së fushëpamjes dhe kthesave të forta.