Hetohen tre persona, organizonin lotari të jashtëligjshme
TIRANË – Tre persona do të hetohen nga prokuroria pas kërkesës që i është bërë kësaj të fundit nga uniformat blu të kryeqytetit. Burime të sigurta thanë për gazetën se tre personat, njëri prej të cilëve punonjës i Policisë Tatimore, dyshohen për “organizim të lotarive të jashtëligjshme”. Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik - Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut dërguan në Prokurori materialet procedurale në ngarkim të shtetasve: M. L., 39 vjeç dhe E. Ç., 30 vjeç, banues në Tiranë, të cilët akuzohen për veprat penale të “organizimit të lotarive të palejuara” dhe “vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”. Gjithashtu është kërkuar fillimi i procedimit penal edhe për shtetasin S. C., 35 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i Policisë Tatimore, i cili akuzohet për “organizim të lotarive të palejuara”, “vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara” si dhe “shpërdorim detyre”. Burimet sqaruan se personat e mësipërm dyshohet se kryenin aktivitet të palicencuar për lojëra fati elektronike, loto sport dhe bilardo në rrugën “Myslym Shyri”. Në cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan 10 makina elektronike “Dion Games”, bileta loto sport të pritura me bastet sportive pro-bast, kompjuter, printer etj.
14 Mars 2008