Kryeplaku: Djali nuk kishte shfaqur shenja depresioni
FIER- Dhimbja ka përfshirë pasditen e së hënës fshatin Kreshpan në komunën Cakran rrethi Fier. Banorët e këtij fshati e kanë mësuar lajmin e hidhur nëpërmjet medias. Shumica e tyre kanë qenë ato çaste për pushim në orarin e drekës në banesat e tyre, pas procesit të punës që zakonisht këtë periudhë janë punimet në vreshtari e ullinj si dhe perimore. Në qendër të fshatit, atje ku gjarpëron tashmë rruga e re automobilistike Fier- Cakran, disa banorë tregojnë edhe një njësi shitjeje tek e cila rreth orës 09.30 viktima ka blerë edhe një paketë cigaresh. Pronari i kësaj njësie shitjeje nuk pranon të japë intervistë, ndërsa pohon se dhimbja është e madhe dhe ngjarja e pakuptueshme. Kryetari i fshatit, Ylli Veizaj, pohon se me këtë ngjarje të rëndë jo vetëm familja mori një plagë të dyfishtë, por edhe vetë fshati.
“Kjo është një ngjarje e dhimbshme. Djalin e pashë në mëngjes dhe e përshëndeta kur erdhi dhe bleu një paketë cigaresh. Ishte djalë shumë i mirë dhe shikonte punën e vet. Madje, pas humbjes së babait ishte bërë më i heshtur. Por nuk ka shfaqur kurrë shenja të depresionit. Përkundrazi. E njoh shumë mirë si familje, jo vetëm se jam kryetar fshati, por sepse shkojmë dhe vijmë për gjitoni mes njëri-tjetrit. Është e dhimbshme. Dy viktima në një familje e cila tashmë ka vetëm një grua dhe dy djem”, ka pohuar ai.
Edhe kryeinfermieri i fshatit, Bardhyl Ruci, hedh poshtë çdo dyshim për depresion të viktimës. “Unë flas njëherë si prind, është e dhimbshme për të gjithë kjo ngjarje. Pastaj flas edhe si infermier. Djali ishte shumë i mirë dhe i qëndrueshëm në shoqëri. Nuk është kuruar asnjëherë me medikamente antidepresive dhe këtë e them me bindje të plotë dhe siguri.”-pohon ai.