Vetëvritet për dashurinë e humbur
Një dashuri e humbur ka çuar drejt vdekjes një adoleshente në Përmet.E.F., nga fshati Bual i komunës Piskovë në rrethin e Përmetit, nxënëse e vitit të parë të shkollës së mesme, i ka qëlluar vetes me një çifte që mbahej e fshehur nga i ati i saj. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të së shtunës, kur prindërit e 17-vjeçares ishin përgatitur për të shkuar në arë ku do të kujdeseshin për të mbjellat. Ka qenë një moment i vetëm kur adoleshentja ka hyrë në kuzhinën e banesës, e cila ndodhet në katin e parë, dhe prej andej nuk doli më. Ishte vështrimi i fundit i prindërve ndaj vajzës së tyre, ku disa minuta më pas qëlloi veten, duke marrë me vete dhimbjen e shpirtit pas ndarjes nga i dashuri i saj. Një shoqe e saj e ngushtë, rrëfen për gazetën Panorama se 17-vjeçarja ishte e dashuruar me një djalë 20-vjeçar, i cili studionte për Mjekësi në Tiranë. Kohët e fundit, sipas E.S., ajo kishte shfaqur mosbesim rreth lidhjes së mëtejshme me partnerin e vet. Në rrëfimet e saj, adoleshentja shprehej se lidhja po minohej pikërisht nga një lidhje paralele e të dashurit të saj në Tiranë, me një grua 43-vjeçare. Kjo e ka acaruar pa masë atë dhe është dashur të ndërmarrë një veprim të tillë sublim, si pasojë e ngarkesës tejet emocionale. Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë, mëngjesin e së shtunës. Askush nga prindërit nuk priste që të ndodhte gjëma në shtëpinë e tyre. Sapo kanë dëgjuar të shtënën e mbytur, prindërit e alarmuar, të cilët kishin në duar mjetet e punës, kanë hyrë nxitimthi në kuzhinë dhe aty panë se si ishte e mbytur me gjak vajza e tyre. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila pas 30-minutash ka mbërritur në vendngjarje. Ndërkaq, rreth orës 07:10 të mëngjesit, 17-vjeçarja është sjellë në spital nga familjarët e vet, e mbytur me gjak. Gjendja e saj shëndetësore vlerësohej mjaft kritike, pohojnë burimet spitalore të Përmetit për gazetën Panorama. Plumbat e armës së gjahut kanë përshkruar kraharorin e majtë të vajzës, ku kishin prekur edhe zemrën. Për këtë arsye, mjekët kirurgë në Përmet kërkuan ndihmë nga kryeqyteti për një ndërhyrje më të specializuar. Mbërritja e helikopterit në një kohë rekord nuk ndikoi në shpëtimin e jetës së 17-vjeçares. Sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, e plagosura ka humbur jetën. Grupi hetimor, i cili ka shkuar në vendngjarje, konstatoi se adoleshentja është vetëvrarë me (puqitje) një lloj arme gjahu të cilën e dispononte i ati i viktimës. Ngjarja e djeshme e ka çuar në tre numrin e vetëvrasjeve në qarkun e Gjirokastrës.
Shkaku zyrtar i vetëvrasjes, ende në hetim
Zyrtarisht, deri tani nuk është përcaktuar shkaku i saktë i vetëvrasjes, pasi nga deklarimet e marra prej familjarëve dhe njerëzve të afërm të saj, si dhe komshinjve, vajza vlerësohej si një vajzë e rregullt me një jetë familjare të përkryer dhe aq më tepër nuk kishte shfaqur shenja depresioni. Policia po punon ndërkohë për zbardhjen e shkakut të vërtetë. Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet i kaluan organit të akuzës në Përmet, për veprime të mëtejshme.
PERMET/ PIRO NASE