E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Vrasja e Myrtajt, 32 armë "të pastra"

TIRANE- Misteri i 14 gëzhojave që u gjetën në oborrin e Kryeministrisë ditën e 21 janarit, duket se do të vazhdojë ende të jetë i tillë. Ekspertiza e 32 pistoletave të kalibrit 9 mm, të sekuestruara në Gardën e Republikës, nuk ka nxjerrë asgjë në dritë. Asnjë prej këtyre 14 gëzhojave nuk është qitur nga 32 pistoletat, të cilat u ekspertuan në laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme. Burime nga prokuroria bënë të ditur se pas ekspertimit balistik të pistoletave ka rezultuar se me asnjërën prej tyre nuk është qëlluar ditën e demonstratës. Ndaj, efektivët e Gardës që ishin të armatosur me këto armë, përjashtohen nga dyshimi për vrasjen e ndonjërit prej tre demonstruesve, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Sa i përket demonstruesit Ziver Veizi, prokuroria akuzon gardistin Agim Llupo si autor të vrasjes dhe prej afro tre muajsh ai ndodhet në qeli. Ndërkaq, në kushtet kur pistoletat kanë rezultuar "të pastra", prokuroria vendosi që mesditën e djeshme t'ia rikthente Gardës së Republikës.
Ekspertiza
Ndërsa ka përfunduar ekspertiza për 32 pistoletat e para që ishin sekuestruar në Gardë, në laboratorin e Institutit të Policisë Shkencore vazhdon puna për ekspertimin balistik të 43 pistoletave të tjera. Nga ekspertiza do të përcaktohet nëse në demonstratën e dhunshme të 21 janarit është qëlluar nga pistoletat që ndodhen në laborator dhe nëse po, sa fishekë ka qitur secila. Në këtë mënyrë do të hidhet dritë edhe mbi faktin se nga cila armë janë qitur 14 gëzhojat e gjetura në oborrin e Kryeministrisë. Kështu mund të vërtetohet se nga cila armë është qëlluar njëri prej dy demonstruesve, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj, pasi Hekuran Deda u qëllua nga një predhë tejshpuese. Në mesin e pistoletave që ndodhen për ekspertim janë edhe armët që mbanin në brez zyrtarë të lartë të Gardës, të cilët ditën e demonstratës ndodheshin brenda rrethimit të Kryeministrisë. Është vërtetuar tashmë se nga 32 pistoletat e para nuk është qëlluar. Ndërsa ende nuk mund të thuhet ende asgjë për 43 të tjerat që janë në proces ekspertimi.
Demonstrata
Ndërsa nga njëra anë po hetohet për të zbardhur vrasjen e katër demonstruesve, prokuroria nuk ka lënë pas dore as hetimin për veprimet e dhunshme që u ndërmorën ndaj forcave të policisë. Burime nga organi i akuzës thanë se gjatë javës së ardhshme do të thërrasin për të marrë në pyetje të tjerë zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, e cila organizoi demonstratën që gjeneroi dhunë. Zyrtarët do të pyeten në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen, duke qenë se janë marrë me organizimin e demonstratës së 21 janarit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Natyrisht, nuk mbeten jashtë listës së prokurorisë edhe emra të njohur të politikës, të cilët dyshohen të kenë dijeni për aktet e dhunës që demonstruesit kryen ndaj forcave të rendit, të vendosura përpara godinës së Kryeministrisë. Dosja për hetimin e organizatorëve të demonstratës i është deleguar policisë, edhe pse zyrtarët do të pyeten nga ana e prokurorëve.
(s.g/Klodiana Lala e GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›