E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Krajka, klompozitori qe beri epoke



Ka jetuar për vite me radhë mes Shqipërisë dhe Amerikës. Ai është një prej kompozitorëve më të mëdhenj të muzikës shqiptare, me një kontribut të madh dhe me vlera në këngën shqiptare. Ky është Agim Krajka, ai që rrëfen fillimet dhe vazhdimësinë e karrierës së tij artistike në “Albania Weekend”. Çdo gjë në jetën e tij ka nisur me fizarmonikën, të cilën e ka të trashëguar nga babai i tij. Fillimet për të nuk kanë qenë shumë të lehta, edhe pse kishte një pasion të veçantë, siç ishte muzika. Talenti i tij ka spikatur që në vogëli duke mos u ndarë asnjëherë nga fizarmonika që ia shtoi akoma më shumë atë emocion dhe atë drejtim në rrugën e bukur të artit. Hyrja në ushtri dhe në festivalet e njëpasnjëshme bënë që Agim Krajka të ishte pjesë e atyre që bënë epokën e muzikës në Shqipëri. Në vitin 1962 kompozoi të famshmen "Lemza", e cila pati një sukses në skenë. Vrulli për të krijuar për Agim Krajkën nuk kishte të sosur pasi në vitin 1963 erdhi para publikut shqiptar me zërin e Vaçe Zelës, me këngën “Djaloshi dhe shiu". Po këtë vit, Tish Daija e bëri pjesë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, aty ku njohu dhe bashkëshorten e tij të mrekullueshme, Amin. Në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, në fillim hyri si instrumentist e më pas si kompozitor e drejtues orkestre. Veprimtaria muzikore e Agim Krajkës përfshin disa dekada, ku krijoi dhe dha kontribut jo vetëm në muzikën e lehtë, por edhe në atë popullore, të përpunuar dhe orkestrale, ndërsa ka kompozuar edhe muzikë për filma. Në gjithë këto vite krijimtari ka bashkëpunuar me emra të mëdhenj, me këngëtarë që sot janë legjenda të muzikës shqiptare. Vlerat e muzikës së lehtë shqiptare nuk mund të kuptohen pa kompozimet ritmike të Agim Krajkës, pa ato nota ndryshe, të cilat edhe pa dashur të shtynin në kërcim të tepruar. Që nga kënga e famshme "Lemza", ai është nderuar në festivale me mbi 17 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në festivalin e vitit 1987, me këngën "Nuk e harroj", të kënduar nga motrat Libohova.
Më tej, gjatë kësaj interviste, Agim Krajka tregon 16 vitet e jetës së tij në Amerikë, aktivitetin e tij artistik dhe suksesin e familjes dhe dy djemve të tij.

Riktheheni pas gjashtëmbëdhjetë vitesh në Shqipëri. Me çfarë po merret momentalisht kompozitori i mirënjohur Agim Krajka?
Natyrisht, merrem vetëm me atë gjë që kam mundësi ta bëj brenda profesionit tim. Në gamën e madhe të mundësive që ka një profesionist, nëse unë do të isha profesionist, është shumë e vështirë, pasi të bësh muzikë do të thotë të ndjekësh një zinxhir punësh, pasi duhet të orkestrosh, duhet të merresh dhe më albume, të cilat këngëtarët i bëjnë për të treguar portretin e tyre artistik. Momentalisht po merrem me kompozimin e dy këngëve ku në ndonjë moment shkruaj për të. Kjo është sfera profesionale e sinqertë e zanatit tim, pastaj, nga ana tjetër, jam shumë i angazhuar pasi kam shumë studentë që u jap mësim në ato drejtime që ata kanë nevojë dhe unë i mësoj shumë mirë. Gjithashtu dhe bashkëshortja është impenjuar shumë, pasi ajo është një muzikante që pati goxha sukses në Amerikë. Ajo, gjatë atyre viteve në Amerikë dha mësim në tri shkolla, ndërsa unë punoja me fizarmonikë.

Si ka lindur pasioni drejt muzikës për profesor Krajkën?
Natyrisht që karrierën time e kam nisur me fizarmonikën. Ashtu siç kam thënë dhe herë të tjera, babai im e ka pasur pasion të madh fizarmonikën dhe ndoshta ka qenë i pari që ka sjellë fizarmonikën në Shqipëri. Unë këtë pasion e gjeta në shtëpinë time, e kisha të gatshme, edhe pse në fillimet e para nuk më linin t’i bija pasi më thoshin se do të merrja zanat ahengxhinjsh. Mirëpo e vërteta qëlloi ndryshe dhe koha tregoi se unë isha i talentuar dhe kisha vesh muzike. Në vitin ’53 shënova një sukses pasi bëra pjesë në një estradë profesionistësh. Në kohën që u bëra pjesë e estradës fillova të mësoja notat, edhe pse fizarmonika është vetë instrument harmonik, melodik, që të ndihmon shumë ta njohësh botën e muzikës dhe të përgatit jashtëzakonisht shumë. Më vonë hyra në Orkestrën e Radio Televizionit dhe automatikisht u bëra pjesë e saj. Në vitin ’62, ku u mbajt Festivali i Parë, natyrisht më bënë drejtues të kompleksit ritmik se ishin dy orkestra, një e madhe dhe një e vogël, ndërsa në Festivalin e Dytë, pas këngës “Djaloshi dhe shiu”, u largova nga Orkestra e RTSH-së. Më vonë, Tish Daija më bëri pjesë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe jo vetëm kaq, po atij ansambli i jam mirënjohës, pasi në vitin 1963 automatikisht unë fillova studimet në Konservator për kompozicion. Ishte një periudhë e lodhshme dhe e rëndë për mua, por që ia ka vlejtur shumë.

Si i kujtoni bashkëpunimet me Vaçe Zelën, hyjneshën e këngës shqipe që dhe sot dëgjohet me nostalgji?
Vaçe Zela, natyrisht, bën pjesë tek ato personalitete që rrallë i vijnë kombit tonë. Vaçe Zela me zë, Vaçe Zela pa zë, ishte një artiste që dhe kur fliste të emociononte. Zëri i saj ka qenë tmerrësisht komunikues. Nuk ishte vokali që i bënte përshtypje publikut; ajo dhe kur lodhej dhe mezi i recitonte këngët, njerëzit emocionoheshin. Me pak fjalë, ajo ishte derivati i një taksie artistike dhe nuk ishte vetëm se ajo kishte vokalin dhe formimi i saj ishte krejtësisht tjetër. Ajo nuk është marrë kurrë me vokalin e saj, vokali ishte një pjesë e vlerave të Vaçes. Bashkëpunimi im me Vaçen ka qenë në këngën “Lemza”. Ishte fantastike pasi një popull e admiroi vokalin e Vaçes dhe kompozimin tim.

Kujt i dedikohej kënga “Lemza”?
Kjo këngë i dedikohej asaj rinie që në mënyrë të fshehtë mund t’i lejohej apo të dashurohej me ndonjë djalë, sepse tregoheshe me gisht në atë kohë dhe çfarë hiqte ajo vajza e shkretë! Ishte një primitivizëm i familjes dhe i shoqërisë, por jo se nuk bëhej dashuri në atë kohë. Në atë kohë kishte një romanticizëm shumë të madh. Unë mund të shkoja deri në malin e Dajtit nëse një femër që më pëlqente me lejonte t’i merrja erë te flokët. Në këmbë mund të shkoja dhe të kthehesha, por më bënte të jetoja një javë rresht me atë kënaqësi.

Një familje muzikantësh me vlera të mëdha. Si jeni njohur me bashkëshorten tuaj?
Me Amin jam njohur në një nga festivalet e radios. Ajo ishte maturante në Liceun Artistik për violinë. Orkestra, shpeshherë, për të plotësuar stafin, thërriste violinistë nga Liceu. Ajo mbrëmje ka qenë dhe shkëndija e parë e njohjes tonë dhe kështu vazhduan më vonë me raporte më të afërta deri në martesë.

Një familje artistësh me dy djem artistë. Sa keni ndikuar ju te profesionalizmi i tyre?
Në fakt për fëmijët kemi sakrifikuar shumë si unë, ashtu dhe Ami, por edhe ata kanë investuar shumë me dijet dhe aftësitë e tyre. Ne nuk dinim t’i drejtonim në një sferë tjetër, të profesionalizoheshin apo të bënin shkollë duke pasur pianon në shtëpi dhe duke qenë vetë profesorë të dy ne. Në fakt, ne si prindër jemi treguar vërtet shumë strikt, pasi bëhej fjalë për të ardhmen e tyre. Orët e studimit i bënin orë studimi të plotë dhe në fakt, në një farë mënyre ushtruam diktaturë mbi të dy djemtë, por në fund ia arritën, treguan vlerat e tyre. Në fakt, vlerat që kishin dy djemtë tanë nuk i kuptuam këtu, i kuptuam kur shkuam në Amerikë, kur konkurroi djali i madh për të hyrë në konservator, në shkollën klasike amerikane dhe e fitoi shkollën me zotësinë e tij. E njëjta gjë ndodhi dhe me djalin e vogël, i cili ishte pesë vjet më i vogël. Gëzimin më të madh unë dhe Ami e kemi marrë në momentin kur djali i vogël fitoi konkursin mes 150 pianistësh dhe i dhanë të drejtën të hyjë në Carnigel. Ky ishte shpërblimi më i madh që morëm gjatë atij konkursi kur pamë fotografinë e djalit mes gjithë asaj salle gjigante. Në këtë mënyrën fëmijët na e shpërblyen dhe ne pas disa vitesh qëndrim në Amerikë u kthyem në ferrën tonë.

Çfarë mund të na thoni për shkollën “Krajka” që u ngrit në Amerikë?
Në fakt, shkolla me emrin “Krajka” u krijua në katër-pesë vitet e fundit të qëndrimit tonë në Amerikë. Vitet e para për ne kanë qenë tepër të vështira për arsye se unë fillova të punoja nëpër lokalet shqiptare për të mbijetuar së bashku me gruan. Jetuam për dymbëdhjetë vjet rresht me sakrifica dhe mundime, por në fund të fundit ia vlejti, pasi ndërtuam një jetë të mrekullueshme për dy djemtë tanë. Realizova bashkëpunime me regjisorë me famë, mora pjesë dhe në dy filma, “Sex the city” dhe një film tjetër. Me fizarmonikë e nisa jetën time, atje i rrita fëmijët me atë fizarmonikë dhe s’e kam për turp dhe sot nëse do të më duhet të punoj, do të vazhdoj ta bëj. Ndërsa bashkëshortja ime në fillim hapi disa kurse më fëmijë shqiptarë për piano dhe violinë. Ajo përfitoi jashtëzakonisht shumë dhe me ndihmën time, por dhe me intelektin e saj që këtu nuk pati mundësi ta vinte në punë. Në Amerikë patëm mundësi të mëdha dhe në një farë mënyre atë shkollë u detyruam ta quanim shkolla shqipe “Krajka” sepse pjesa dërrmuese e njohën talentin tonë shqiptar. Ishte e bukur të ndërtoje një jetë, një veprimtari në një vend të huaj, pasi ajo shkollë u bë si një shtëpi kulture, vinin nxënës nga qytete të ndryshme. Repertori i shkollës “Krajka” në shumicën e rasteve ishte shqip, vetëm në ndonjë festë të veçantë kishte dhe ndonjë pjesë nga repertori amerikan.

Për çfarë arsyesh u kthyet në Shqipëri?
Unë e kam thënë dhe herë të tjera që pas gjashtëmbëdhjetë vjetëve nuk mund të rrija më në Amerikë. Unë u ktheva në ferrën time edhe pse ferra gjeta me të vërtetë. Në fakt çdo gjë që quhet gëzim unë shijoj gjysmën, sepse nuk kam me kë ta materializoj këtë gëzim, pasi më mungojnë fëmijët. Me të vërtetë u ktheva pa asnjë dollar në Shqipëri, por u ktheva dhe pa asnjë dollar borxh. Dollarët për mua janë dy djemtë e mi që kanë prekur skenat e botës.

Tregu muzikor shqiptar sot është bombarduar nga muzika komerciale. Kompozitorët dhe këngëtarët e mirëfilltë pothuajse janë larguar. Çfarë ka ndikuar sipas jush?
Si një profesionist mund të kem të paktën një krijimtari që nga viti 1962 e deri në ditët e sotme. Të mos them sa këngë kam shkruar që nga Festivali i Parë e deri tani. Që nga Festivali i Parë dhe deri tani kam marrë njëzetë çmime, 17 çmime të dyta, tri të treta dhe një çmim të parë. Kam shkruar tetë muzikë filmash dhe dy balete për fëmijë dhe nuk mora as dhe 100 lekë të vjetër për të drejtën e autorit. Dikush duhet të përgjigjet për këtë punë. Të gjithë shkruajnë a dhe b, por e përdorin në mënyrën e tyre, ndërsa ne vetëm në emër të globalizmit bëjmë budallallëqe, aq sa po e kthejmë edhe rininë në një turmë, e cila nuk di se nga ka ardhur dhe ku do të shkojë. Një nga arsyet kryesore është dhe muzika që transmetohet në televizionet shqiptare. Sot çfarë nuk dëgjoj, por vetëm shqip nuk dëgjon. Edhe muzika e lehtë për mua është një pseudomuzikë, ajo mund të jetë muzikë për një periudhë 2 apo 3-vjeçare, sa që të zhvatin lekët. Në bastardimin e muzikës shqiptare është vetëm paaftësia e tërë njerëzve të pashkolluar, që gjejnë, krijojnë dhe mbështeten te shtëpitë diskografike, që shesin pa pikë përgjegjësie. Ka edhe gjëra të mira, edhe mund të ketë ndonjë CD të mirë, po ku bien në sy këto? Ne në Europë nuk mund të hymë dot pa kulturën tonë. Italiani nuk e ka dhunuar muzikën e tij, po ashtu dhe francezi etj., vetëm ne po e dhunojmë në emër të hyrjes në Europë.

Profesor Krajka, çfarë simbolizon për ju muzika e lehtë?
Për mua nuk ka muzikë të lehtë dhe muzikë të rëndë, për mua ka muzikë të bukur dhe të shëmtuar. Ka muzikë të vërtetë dhe pseudomuzikë. Çdo njeri, sipas formimit, sipas mundësive, gjen veten në shumë zhanre që ka krijuar qytetërimi botëror se ku mund të shprehet më mirë.

Cila ka qenë periudha më e bukur e karrierës tuaj?
Edhe kur kam marrë çmimin e parë, pas kaq e kaq vitesh, që kisha të drejtë të gëzoja, ma bënë akoma më të vështirë. Në fakt ishte një gëzim shumë i madh, por unë s’kisha forcë. Në njëfarë mënyre dhe forcën e gjeta se ma solli rinia, dhe ky ishte një gëzim shumë i madh. Në orën 12 të natës më bie dera dhe më vjen një klasë mature e shkollës “Katër Dëshmorët”. Nuk e harroj asnjëherë në jetën time. Kam kaluar natën më të bukur dhe më me emocion me studentët që më bënë atë surprizë të mrekullueshme. Ishte me të vërtetë një gjë madhështore, nuk i harroj dot kurrë ato fytyra të atyre të rinjve që erdhën për të më përgëzuar për çmimin. Pastaj gëzime të shumta më kanë ndjekur gjatë gjithë kësaj kohe, por këtë moment nuk mund t’i përmend të gjitha.

Krijimtaria e Agim Krajkës
Agim Krajka lindi në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i pasionuar pas muzikës dhe si amator luante në disa instrumente muzikore si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë babai i tij. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionierit, ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi filloi studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kaloi pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore; në fillim si instrumentist e më pas si kompozitor e drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe me atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës, deri në festivalet e fundit të pas viteve ‘90. Që nga kënga e famshme “Lemza”, e kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961-shin. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova.

22 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›