Universitetet, sa janë kuotat dhe kërkesat për 20 degët më të kërkuara
Jonida Tashi
Agjencia e Pranimeve në Universitete detajon se sa janë kërkesat dhe kuotat për 20 programet e studimit më të preferuara nga të rinjtë për të vijuar studimet e larta. Bëhet fjalë për degët më të kërkuara, si: Administrim biznesi, Punë sociale, Psikologji, Drejtësi, Shkenca politike, Financë, Infermieri e përgjithshme, Sociologji, Ekonomiks, Gazetari etj. Ndërsa përsa i përket universitetit që të rinjtë preferojnë më shumë për të ndjekur shkollën e lartë, në krye të listës qëndron Universiteti i Tiranës. Të dhënat zyrtare tregojnë se fluksi i kërkesave për degët e këtij universiteti është disa herë më i lartë krahasuar me universitet e tjera të vendit. Ndërkaq, 12 nga 20 degët më të kërkuara nga maturantët për të vijuar fakultetin i përkasin pikërisht Universitetit të Tiranës. Duke marrë parasysh këto të dhëna, të rinjtë duhet të tregohen tepër të kujdesshëm në përzgjedhjen e preferencave në formularin A2, pasi në degët më të kërkuara fluksi i kërkesave është tepër i lartë, ndërkohë që e kundërta ndodh me degët e “dorës” së dytë. Sipas specialistëve të Agjencisë së Pranimit në Universitete (APRIAL), te programet e studimit që janë më të kërkuara, fluksi i madh i kërkesave nuk përbën ndonjë diferencë të madhe midis preferencës së parë dhe të dhjetë. Kurse te programet e studimit që janë më pak të preferuara nga të rinjtë, te preferencat e para ka një numër të vogël kërkesash, por ato vijnë duke u rritur në preferencat e fundit. Shpjegimi në këtë rast, sipas specialistëve, është se shpeshherë këto preferenca plotësohen si një mundësi për të mos ngelur pa të drejtë studimi, për ata maturantë që me rezultatet e tyre nuk përmbushin dot kriterin e meritës për programet e kërkuara.
Pranimet
U bënë tashmë katër vjet që në sistemin e pranimeve në universitetet publike të vendit, Ministria e Arsimit ka marrë përsipër të zbatojë parimin “Meritë–Preferencë” dhe të përcaktojë fituesit për çdo program studimi. I gjithë ky proces realizohet duke angazhuar dy institucionet e vartësisë: Agjencinë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) dhe Agjencinë Kombëtare të Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL). Për të marrë kërkesat e maturantëve për programet e studimit që ata duan të ndjekin, përgatitet një formular i posaçëm ku shpallen të gjithë programet e studimit që ofrojnë universitetet shqiptare. Po në këtë formular merret dhe nota mesatare e maturantit. Kjo përbën elementin e pestë të meritës, i domosdoshëm në formulën llogaritëse të pikëve të maturantit. Kërkesat e maturantëve për programe studimi janë 10, të renditura sipas preferencave të tyre, të cilat merren parasysh në klasifikimin përfundimtar. Me marrjen dhe hedhjen e këtyre kërkesave, në bazën e të dhënave janë të gjitha elementet e nevojshme për llogaritjen e pikëve të secilit maturant. Për përcaktimin e fituesve ndër kandidatët maturantë konkurrentë, përdoret një program kompjuterik. Ky program rendit të gjithë kërkuesit për secilin program studimi, sipas rendit zbritës të pikëve. Më pas merr në konsideratë preferencat dhe i jep përparësi preferencës më të lartë.
Provimet
Edhe këtë vit, sesioni i parë i provimeve të Maturës Shtetërore do të hapet me lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, për të cilat, maturantët do të testohen më 1 qershor 2010. Pas dy javësh pushim, për t’u përgatitur për testimin në lëndën e Matematikës, maturantët do t’i nënshtrohen provimit të dytë me detyrim të Maturës. Sipas datës së vendosur nga kreu i Arsimit, provimi i Matematikës do të zhvillohet në datën 15 qershor. Pas këtij provimi sërish maturantët do të kenë dy javë kohë në dispozicion për t’u përgatitur për provimet me zgjedhje, të cilat do të mbahen në datën 30 qershor. Për secilin nga provimet e detyruara të Maturës, testi do të përmbajë 25 kërkesa, nga të cilat 13 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 37 pikë. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta secila. Ndërkaq, Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe sa do të jetë përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale dhe social-kulturore. Kështu, në shkollat profesionale Letërsia do të vlerësohet me 15%, kurse Matematika me 25%. Në shkollat social kulturore: Letërsia dhe Gjuha shqipe, 25%; Matematika 15%. Në shkollat pedagogjike: Letërsia dhe Gjuha shqipe, 20%; Matematika 20%. Notat e dy provimeve të detyruara do të shënohen në Dëftesën e Pjekurisë. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore do të përmbajnë për secilën lëndë 20 kërkesa, nga të cilat 10 janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë dhe 10 kërkesa janë me zhvillim dhe përbëjnë 30 pikë. Provimet me zgjedhje do të zgjasin 4 orë. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve për nxënësit që do të japin provim të Maturës njërën nga lëndët me zgjedhje është 2 orë. Këta nxënës do të zhvillojnë provimin në mjedise të veçanta. Testet për provimet e Maturës do të hartohen dhe administrohen nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), mbi bazën e programeve orientuese lëndore përkatëse. Përzgjedhja e testit për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës 2010 do të kryhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, të cilët emërohen përgjegjës të testit përfundimtar (PTP) në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit, brenda ambienteve të izoluara të AVA. Pas përzgjedhjes së testit do të kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave nga AVA.
20 programet e studimit më të kërkuara në universitete
Programi i studimit UN Kërkesa Kuota
1.Administrim–Biznes UT 11924 400
2.Punë sociale UT 10310 130
3.Psikologji UT 9933 117
4.Drejtësi UT 9180 703
5.Shkenca politike UT 8133 110
6.Financë UT 7473 477
7.Financë-Kontabilitet UBT 7244 195
8.Infermieri e përgj. UT 7055 276
9.Sociologji UT 6824 110
10.Ekonomiks UT 6621 85
11.Gjuhë Angleze UT 6567 225
12.Gazetari UT 6424 90
13.Eko.dhe Pol.Agrare UBT 5877 190
14.Menaxhim turizmi UD 5832 120
15.Punë sociale USH 4717 80
16.Turizëm USH 4689 120
17.Infermieri e përgj. USH 4686 115
18.Gjeografi UT 4568 110
19.Inxh.Telekomuni. UPT 4502 110
20.Infermieri e përgj. UE 4457 175
Periudhat e izolimit për hartimin e testeve të Maturës
Periudhat kohore të ekspozimit potencial të sekretit (KOEPS-eve) për Maturën Shtetërore 2010 do të jenë:
25 maj–01 qershor 2010, për provimin e parë me detyrim, Gjuhë shqipe dhe Letërsi
08 qershor-15 qershor 2010, për provimin e dytë me detyrim, Matematikë
23 qershor–30 qershor 2010, për dy provimet me zgjedhje që zhvillohen në të njëjtën ditë
22 Maj 2010