Kualifikimi i infermierëve, Vasili: “Do tu krijohen lehtësira në arsim”
Jonida Tashi
Për kualifikimin e infermierëve do të ketë disa mundësi. Kështu ka deklaruar dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një takimi të posaçëm që është mbajtur për të diskutuar për arsimin e infermierëve. Në këtë takim, kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka premtuar lehtësira për infermierët përsa i përket arsimimit të tyre. Ndryshe nga mjekët, të cilët nëse nuk plotësojnë kreditet, ndërpresin menjëherë kontratat e punës, për infermierët, ministri Vasili ofron disa opsione për arsimimin e tyre, i cili pritet të kryhet brenda tre vjetëve.
Mundësitë
“Për infermierët, duke njohur specifikat e tyre, opsionet janë më të mëdha, sepse mjekët kanë një drejtim që është shumë i përcaktuar dhe shumë i rreptë. Për infermierët kemi ofruar mundësi që kualifikimi i tyre të kryhet në kohën më të shkurtër të mundshme. Të kryhet sipas opsioneve që ata zgjedhin vetë, në shkollat publike apo ato private që ata mund të zgjedhin”, - deklaroi Vasili. Përsa i përket infermierëve në prag pensioni, të cilët kanë mbaruar vetëm shkollat profesionale, ministri Vasili ka bërë të ditur se për këtë kategori do të ketë diferencime lehtësuese, megjithatë, edhe ata duhet të kualifikohen. “Për ata që janë në prag pensioni do të ketë qëndrime të diferencuara. Një infermiere, së cilës i mungojnë 3-4 vjet në plotësimin e karrierës së saj, do të kenë një mënyrë të trajnimit profesional, sepse në vite të caktuara mund të ndodhin edhe dëme profesionale që mund t’u shkaktohen pacientëve”, - tha Vasili.
Kurset
Një nga mundësitë që Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë për kualifikimin e infermierëve do të jetë edhe ndjekja e kurseve të specializuara brenda spitaleve. Ministri Vasili ka theksuar se përveç shkollave publike e private, ku ata mund të kryejnë studime të larta për degën e Infermierisë, po mendohet që të ofrohen brenda në spitale edhe kurse të specializuara infermierie me kosto më të lirë, kurse këto që do të akreditohen nga Ministria e Arsimit. “Kemi menduar që të japim disa opsione dhe infermierët mund të zgjedhin atë që duan, por përveç shkollave publike e private, po bisedojmë me Ministrinë e Arsimit që të ngremë kurse profesionale në spital, me një kosto më të lirë, me qëllim që çdo infermier të ketë mundësi të rritet profesionalisht dhe të mos e humbë vendin e punës”, - tha ministri i Shëndetësisë. Sipas urdhrit të nxjerrë nga Petrit Vasili, për kualifikimin e infermierëve, nga edukimi profesional i vazhdueshëm nuk do të përjashtohet asnjë punonjës i sektorit të shëndetësisë, në të kundërt ata që do ta refuzojnë këtë do të duhet të lënë vendin e punës.
Aktualisht në të gjithë vendin punojnë në sektorin publik rreth 15 mijë infermierë. Një pjesë e mirë e tyre janë të pajisur me diploma të lëshuara nga kurset profesionale që sot nuk ekzistojnë më. Ndërkohë që ministri Vasili ka deklaruar se teknologjia bashkëkohore dhe reformat që po merren në sistemin shëndetësor kërkojnë personel mjekësor të trajnuar dhe me nivel profesional të lartë.
Ndryshimet në ligj
Pas fakultetit do të ketë praktikë pune për infermierët
Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, në mbledhjen e tij të kësaj jave ka diskutuar për problemet që dalin në kualifikimin e mëtejshëm të infermiereve. Të pranishëm në mbledhje ishin drejtues të Urdhrit të Infermierit, si dhe një eksperte pranë Ministrisë së Arsimit. Gjatë mbledhjes, kryetari i Urdhrit të Infermierit vlerësoi rëndësinë që ka kualifikimi i infermierëve, sipas normave dhe standardeve më të mira të vendeve të Bashkimit Europian. Ai tha se ka një rritje të numrit të infermierëve të diplomuar me arsim të lartë që shërbejnë në sistemet spitalore në mbarë vendin. Gjithashtu, ai vuri në dukje se për formimin bazë të infermierëve janë bërë edhe testime në bashkëpunim me Fakultetin e Infermierisë. Në mënyrë të veçantë, ai u shpreh se do të përcaktohen norma të reja, sipas të cilave pas mbarimit të studimeve të larta, infermierët do të kenë të drejtën e praktikës e më pas do të marrin të drejtën për të punuar. Në vijim të diskutimeve, anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë, theksuan rëndësinë që ka hartimi i një strategjie për kualifikimin e vazhdueshëm të infermierëve, në kuadër të të rejave më të fundit që dalin nga shkenca dhe mjekësia. Ata kërkuan sanksione konkrete ligjore për rritjen e nivelit të profesionalizmit të infermierëve. Anëtarët e Komisionit vlerësuan se përmirësimi i mëtejshëm i legjislacionit në këtë drejtim, u hap rrugën infermierëve për të studiuar edhe për grada shkencore. Më pas, komisioni vendosi vijimin e diskutimeve në mbledhjen e radhës, ku të pranishëm pritet të jenë edhe përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë.
Urdhri i ri
QSUT, shefat e pavijoneve do të jenë edhe të shtunën në punë
Duke nisur nga kjo javë, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” do të ketë orare të reja për punën e personelit shëndetësor, por edhe për shefat e shërbimeve. Drejtori i Qendrës më të madhe Spitalore në vend, Ilir Dashi, ka firmosur dje një urdhër të ri për “Funksionimin më të mirë të punës në shërbimet e QSU “Nënë Tereza” dhe zbatimin me korrektësi të Statutit të QSUT-së dhe Kodit të Punës”. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Ilir Dashi, këto ndryshime bëhen për fokusimin më të mirë të punës në shërbime, por edhe për zbatimin e rregulloreve të vendosura deri më tani. “Duke filluar nga kjo e hënë dhe deri ditën e shtunë i gjithë personeli shëndetësor është i detyruar të qëndrojë në pavijone dhe shërbime nga ora 08:00 deri në 15:30, por kjo nuk të thotë që puna e tyre përfundon këtu. Edhe ditën e shtunë do të ketë mbledhje dhe organizim të punës si nga shefi i pavijonit, ashtu edhe nga mjekët dhe personeli mbështetës”, - ka deklaruar Ilir Dashi. Sipas tij, çdo ditë, stafi i shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 8:00, nën drejtimin e shefit të shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur shefi mungon. Për pavijonet që kanë salla të kirurgjisë, gjatë këtyre mbledhjeve do të bëhet edhe shpërndarja e operacioneve sipas urdhrit të dalë vetëm dy ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. Për të gjithë shkelësit e këtij rregulli, Drejtoria e QSUT-së ka parashikuar masa ndëshkuese deri në largime nga puna, gjoba, vërejtje etj.
Pikat e urdhrit të ri
1. Orari zyrtar i punës nga dita e hënë deri ditën e premte është nga ora 08:00-15:30.
2. Çdo ditë stafi i shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 08:00, nën drejtimin e shefit të shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur shefi mungon.
3. Në zbatim të Urdhrit të ministrit të Shëndetësisë Nr.86, datë 16.02.2010, pjesë e orarit të punës është edhe dita e shtunë, nga ora 09:00-11:30, kohë gjatë së cilës duhet të zhvillohet mbledhja javore e stafit të shërbimit sipas detyrave të urdhrit të ministrit të Shëndetësisë.
4. Drejtoria do të organizojë kontrolle për zbatimin në vazhdimësi të këtij urdhri. Për moszbatim të tij do të merren masa konform Statutit të QSUT-së dhe Kodit të Punës.
22 Maj 2010