E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetoja e PD, Gjana: Nuk preket sistemi zgjedhor

Ish-hartues i kodeve zgjedhore për vite më radhë, aktualisht bashkëkryetar i komisionit për reformën elektorale, deputeti demokrati Jemin Gjana garanton opozitën se për çështjet e adresuara prej saj ekzistojnë edhe rrugët e zgjidhjes. Sipas tij, e rëndësishme është që reforma të jetë e plotë, pavarësisht kohës që do të marrë ajo, pasi rregullorja aktuale, e miratuar në vitin 2004, është e standardit Europian. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", ai vë në dukje se nuk ka ndryshime të theksuara në pikëpamjet e mazhorancës dhe opozitës, të paktën jo aq sa për të bllokuar kompletimin e kësaj reforme. Ish-ministri i Bujqësisë, aktualisht kryetar i komisionit parlamentar të veprimtarisë prodhuese z.Gjana, flet dhe për arsyet pse PD-ja nuk pranon ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe organizimin e zgjedhjeve nga komuniteti ndërkombëtar, siç ka kërkuar opozita.
Z.Gjana, a janë të mjaftueshme 4 muaj kohë për të përmbushur reformën e re elektorale?
Besoj se afati prej 4 muajsh do të mjaftojë, megjithatë unë nuk e shoh një çështje të ngutshme, se ne nuk jemi në boshllëk. Ne e kemi shprehur si pjesë e mazhorancës në grupin e punës, qëndrimin që më e rëndësishme sesa përmbyllja brenda afatit të 3 apo 4 muajve, e rëndësishme është që vërtetë të trasfuzojmë rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Pikërisht ata elementë, të cilët të mos e shndërrojnë në pjesë debati dhe të mos i shndërrojmë seancat parlamentare, funksionimin e Kuvendit, punën e komisionit të Kuvendit në çështje të një debati, të një natyre thellësisht të politizuar përmbi atyre, që të jetë më tepër racionale.
A ka ndryshime të theksuara në pikëpamjen e mazhorancës dhe opozitës, të paktën aq sa për të mos bllokuar kompletimin e reformës zgjedhore?
Çështja e punës për rregulloren e funksionimit të Kuvendit do të progresojë, për të mos u shndërruar në një çështje pengese.
As zhvendosja e 60 minutave të diskutimeve të lira në fund të rendit të ditës, hap ky i ndërmarrë nga mazhoranca si parapritë për mosbllokimin e seancave plenare nga opozita?
Janë disa çështje që ndoshta kanë nevojë për t'u parë për zgjidhje. Disa çështje besoj se janë tejkaluar. Çështja e 60 minutëshit etj., janë çështje principale, që do të zgjidhen dhe mund të ketë disa mënyra zgjidhjeje. Në fakt ky 60 minutëshi në parlamentin shqiptar ka krijuar një handikap, në pikëpamjen time.
Në ç'kuptim?
Ka hequr nga lista e punës në Kuvend seancat e pyetjeve dhe të seancave të interpelancave. Gjatë 3-4 viteve të fundit pothuajse nuk ka interpelanca në seanca pyetjesh, sepse përdoret 60 minutëshi për të bërë debat, një debat i cili në shumicën e herëve i kalon kufijtë e racionalitetit. Ndaj besoj se të dyja palët kanë mundësi ta shohin me gjakftohtësi, për ta bërë më dinjitoze punën e parlamentit, më racionale dhe më të frytshme.
Po për sa u përket çështjeve të tjera?
Përveç rregullores së Kuvendit, do të shikohen edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën e deputetëve dhe komisioneve parlamentare, kjo nga pikëpamja e mbështetjes në ekspertë dhe financim. Platforma e propozimeve do t'i prezantohet Grupit të Punës në mbledhjen e tij më të afërt, për t'iu vënë më pas në dispozicion 3 institucioneve ndërkombëtare, të cilat do të japin asistencën e tyre për reformën, e cila duhet të përfundojë para 4 prillit.
Mazhoranca është shprehur kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor. Pse duhet aplikuar sërish proporcionali rajonal dhe jo një variant tjetër?
Nuk ndryshohet sistemi zgjedhor sa herë ka zgjedhje të përgjithshme. Nuk ndërrohen sistemet kur me të janë kryer vetëm një palë zgjedhje. Le ta lëmë proporcionalin rajonal të konfirmojë veten. Përveçse që ka një praktikë botërore e cila në Shqipëri në fakt nuk është respektuar. Kur bëhen ndryshime të thella në sisteme zgjedhore, nuk bëhen për mandatin ose për zgjedhjet e radhës. Bëhen për një palë zgjedhje më tutje, me qëllim që aktorëve as mos t'u jepet mundësia që të ndikojnë në zgjedhjet e radhës në favor të një pale ose një pale tjetër, po dhe për t'u dhënë mundësi aktorëve që të përgatiten për një palë zgjedhje që janë për një mandat tjetër më shumë. Nuk besoj se Shqipëria ka luksin, që sa herë të ketë zgjedhje të përgjithshme të ndryshojë kodin elektoral.
Ndryshimi i sistemit a është pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it?
Ndryshimi i sistemit elektoral nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Duhet kuptuar qartë se Shqipëria nuk e ka luksin, që të ndryshojë sistemin elektoral në çdo prag zgjedhjesh.
PD-ja ka akuzuar kreun e PS-së, Edi Rama se po kërkon vetëm pushtet në tavolinë...
Në 2008-ën, PS-ja insistoi për ndryshimin e sistemit. Ka kërkuar sistem proporcional rajonal se kishin humbur në atë mazhoritar - proporcional. Sistemi aktual është bipartizan dhe ka eliminuar shumë probleme të sistemit të mëparshëm. Lidhur me administratën zgjedhore, palët duhet të kenë besueshmëri tek njëra-tjetra. S'ka mënyrë tjetër për organizimin e administratës zgjedhore, përveç formulës bipartizane të saj. Gjërat janë për t'u lexuar siç janë. Para 3 vjetësh e ndryshuam sistemin me kërkesë të socialistëve. Ata shkuan në ndryshimin e këtij sistemi, sepse humbën në dy zgjedhje radhazi, në 2011-tën dhe 2005-ën. Ne nuk kemi luksin të ndryshojmë në çdo palë zgjedhje sistemin zgjedhor. Dhe e dyta, ndryshimi i sistemit nuk zbatohet në zgjedhjet e radhës, por në një palë zgjedhje të mëvonshme, në mënyrë që asnjëra nga palët politike të mos ketë mundësi të abuzojë me zgjedhjet. Janë 52 rekomandime të OSBE/ODIHR-it për reformën e re zgjedhore, të cilat duhet të përmbushen.
Si do të modifikohen problemet e vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, ku procesi i numërimit është konsideruar si pjesa zgjedhore më problematike?
Edhe në zgjedhjet e 2009-ës dhe 2011-tës, dita e votimit është konsideruar ditë e qetë; numërimi ka qenë transparent, por problemi më thelbësor që ka dalë më pas, ka qenë se numërimi është zgjatur më shumë se një javë. Kjo ka cënuar Kodin Zgjedhor, pasi neni i tij parashikon që ditën e martë, pas zgjedhjeve, të jetë i mbyllur procesi. Për ndërhyrjet në Kod, në mënyrë që komisionerët të mos kenë mundësi të bllokojnë, marrin vulën dhe pengojnë numërimin e votave, duhet të ketë penalitete dhe ndëshkueshmëri. Gjithashtu numri i vendnumërimeve dhe grupeve të numërimit është një çështje që mund të zgjidhet në Kod. Pra, e gjithë çështja është që ditën e martë të kemi rezultatin, që procesi i numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit nga komisionet zonale dhe qendrat e numërimit të votave të mos zgjatet më.
Eksponentë të opozitës kanë propozuar që organizimi i zgjedhjeve të bëhet nga ndërkombëtarët. Pse nuk pranon PD-ja?
Unë nuk besoj se Shqipëria mund ta lërë administrimin e zgjedhjeve në duart e të huajve. Të huajt janë për të monitoruar dhe për të vëzhguar.
Është domosdoshmëri një pakt mes palëve, për përmbushjen e kushteve që kërkon integrimin në BE?
Reforma zgjedhore, votimi i ligjeve të rëndësishme për integrimin apo dhe rishikimi i Rregullores së Kuvendit, nuk kanë nevojë për një pakt mes mazhorancës dhe opozitës, pasi janë detyrime për palët.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›