Edi Rama: Vrasësit e 21 janarit, ende të lirë
Lideri i opozitës, Edi Rama, akuzon sistemin e drejtësisë se është kthyer në varrmihësin e krimeve, duke analizuar situatën e hetimit 1 vit pas 21 janarit
Tiranë “Viti i ri me një janar padrejtësi”. Kështu shkruan lideri i opozitës, Edi Rama, pak ditë para 1-vjetorit të demonstratës së 21 janarit, ku u vranë katër persona. Të ilustruar me pikturën “man shot down” të Gerhard Ritcher, në faqen e tij online Rama shkruan ç’ndodh një vit më pas, në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. “Tek po mbushet viti i vrasjeve të 21 janarit, vrasësit enden të lirë, urdhëruesit e vrasjeve qeverisin, familjarët e të vrarëve pyesin të dëshpëruar kur do vendoset drejtësia për njerëzit e tyre, prokuroria endet në labirintin e provave të manipuluara dhe gjurmëve të fshira, opozita ngulmon te domosdoshmëria e drejtësisë, ndërkombëtarët presin në heshtje rezultatin e një hetimi, që pa qëndrimin, pa ekuivok të botës demokratike ndaj masakrës së 21 janarit, nuk do të çojë askund deri kur janarët do t’i gjejnë në pushtet ata që urdhëruan vrasjet, të cilët pushtetin gjyqësor e kanë kthyer në varrmihësin e krimeve të tyre” - thotë lideri i opozitës. Burime nga opozita bëjnë me dije se prej ditësh Partia Socialiste ka nisur përgatitjet për një ceremoni përkujtimore për katër të vrarët e 21 janarit, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për ngjarjen e ndodhur një vit më parë, lideri i opozitës akuzon qeverinë, por edhe sistemin e drejtësisë, e cila ende nuk e ka zbardhur ngjarjen. Demonstrata e 21 janarit u kthye në një përleshje të ashpër mes qytetarëve dhe forcave të policisë, të vendosura në mbrojtje të godinës së kryeministrisë. Në këtë ngjarje humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj.