E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga juristit të ALUIZNI-t, kërkoi 2 milionë lekë ryshfet

Korçë- Një jurist i ALUIZNI-t në qytetin juglidor është arrestuar nga policia për akuzën e korrupsionit. Policia dhe prokuroria e Korçës arrestuan gjatë pasdites së të shtunës një jurist të akuzuar për veprën penale të korrupsionit pasiv. Sipas policisë, është ndaluar Elton Docaj, me detyrë jurist në degën e ALUIZNI-t në qytetin e Korçës. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se ndalimi i tij u bë sepse “juristi Elton Docaj 33 vjeçar, duke abuzuar me detyrën, i ka kërkuar një shtetasi ryshfet prej 2 000 000 lekësh të vjetra për të përshpejtuar procedurën e legalizimit të një shtese pallati në qytetin e Korçës”, tha policia. Bëhet fjalë për një banor të qytetit të Korçës, i cili pas kërkesës së juristit të lartpërmendur ka kërkuar ndihmë në policinë vendore, ndërsa kjo e fundit ka organizuar operacionin e koduar “Juristi”, i cili ka përfunduar me prangosjen e zyrtarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore. Të njëjtat burime bëjnë me dije se nuk përjashtohet mundësia dhe e ndalimit të ndonjë tjetër personi, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për rastin në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›