Gjendet e varur në kasolle 16-vjeçarja, mister shkaqet
Një adoleshente i ka dhënë fund jetës dje pasdite në një fshat të Librazhdit, për motive ende të paqarta. Angjela Kokonozi, 16 vjeçe, me banim në Përrenjas Fshat në Librazhd, është gjendur nga familjarët e varur me litar në kasollen e shtëpisë. Për adoleshenten nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi, pasi në momentin e gjetjes ajo ishte e pajetë. Në të vërtetë familjarët kishin disa orë që e kërkonin të miturën, pasi ajo ishte zhdukur në mënyrë misterioze pa lënë asnjë adresë dhe pa pasur asnjë arsye. Të afërmit kanë kërkuar gjithandej pa e ditur se vajza ndodhej fare pranë në kasollen e shtëpisë e vetëvarur me një litar bagëtish. Në vendngjarje shkuan policia, ekspertët dhe grupi hetimor. Ende mbeten mister shkaqet e kësaj ngjarjeje tronditëse. Familjarët kanë deklaruar se Angjela nuk ka patur asnjë shqetësim që mund ta çonte drejt këtij vendimi fatal. Policia tha se është duke hetuar për të zbardhur arsyet që mund ta kenë çuar drejt aktit depresiv. F.S.