Minatorët të izoluar në Krastë, policia: Alarmi i “rremë”
Mbetet i paqartë njoftimi se 40 minatorë janë bllokuar në hyrje të galerive të një miniere në Thekën të Krastës në Bulqizë, ndërsa lajmi pohohet prej pronarit të kompanisë që kontrollon minierën dhe mohohet nga autoritetet lokale. Mediat televizive njoftuan dje pasdite se rreth 40 minatorë ishin izoluar prej 48 orësh në zonën Thekën të Krastës, pikërisht në hyrje të një galerie miniere, për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Lajmi u konfirmua nga pronari i firmës ‘RaKrom’, Gani Hoxha, i cili edhe ka në zotërim minierën, por është mohuar nga drejtues të policisë lokale dhe kryetari i komunës së Krastës. Pak çaste pas publikimit të lajmit, drejtori i Policisë për Qarkun e Dibrës, Artan Hasanaj, tha për ‘Mapo’-n se lajmi nuk është i vërtetë. Sipas tij, një ngjarje jo fort e këndshme ka ndodhur mbrëmjen e të premtes, por nuk ka patur asnjë problem serioz. “Nga të dhënat që siguruam, tha Hasanaj, rezultoi se të premten, në fund të turnit të punës në galeri, në momentin kur po dilnin nga nëntoka janë fikur dritat. Kjo e ka vështirësuar pak lëvizjen e tyre, pasi dihet që minatorët mbajnë me vete mjete ndriçimi. Kur kanë lënë minierën ata i kanë telefonuar Hoxhës dhe i kanë shprehur shqetësimin e tyre për atë që kishte ndodhur. Dje në mëngjes minatorët janë transportuar nga Thekna drejt Krastës dhe nuk kanë asnjë problem për shëndetin apo për jetën” - nënvizoi Hasanaj, duke siguruar se ata nuk ishin bllokuar në galeri. Ndërkohë drejtuesi i kompanisë, Gani Hoxha, ka thënë se minatorët nuk mundën të nisin punën ditën e djeshme për shkak të ndërprerjes së energjisë dhe ngecën në hyrje të një prej galerive të minierës.
Hoxha thekson se ndërprerja e energjisë u shkaktua nga moti i keq me stuhi dhe borë, duke lënë në errësirë zona të tëra në Krastë. Pronari i bëri thirrje CEZ të ndërhyjë për të siguruar energjinë që prej 2 ditësh mungon në zonë dhe minierë. Ndërsa njoftohet se energjia është kthyer në këtë zonë pas njoftimit dhe minatorët kanë dalë nga izolimi. Ndërkohë që dy versionet e lajmit, njëri i cili flet thjesht për një defekt elektrik dhe tjetri që fliste për izolimin e 40 minatorëve për jo pak por dy ditë, kanë mbetur të paqarta edhe pse banorë të zonës dhe kryetari i Komunës mohuan, ashtu si drejtori i policisë, izolimin e minatorëve. P.Hasa