Gjendet i vdekur në përrua bariu
Gjendet i vdekur, nga vëllai, në përroin e fshatit bariu 60-vjeçar. Zenel Mënalla me banim në fshatin Gulçan të Hotolishtit në Gramsh u gjet i vdekur në orët e mbrëmjes nga vëllai i tij në përroin e fshatit. I ndjeri ka shkuar të ushqejë bagëtinë si zakonisht, por është vonuar dhe kjo ka bërë që familjarët të shqetësohen. Ata kanë nisur kërkimet dhe e kanë gjetur të vdekur në përrua. Për ngjarjen është njoftuar menjëherë policia, e cila ka filluar menjëherë hetimet rreth vdekjes. Nga hetimet paraprake rezulton se Zenel Mënalla nuk ka shenja të dhunës në trup, çfarë e përjashton sulmin apo vrasjen nga persona të tjerë. Dyshimi paraprak është ai se 60-vjeçari mund të ketë rrëshqitur nga lartësia dhe ka rënë disa metra në humnerë duke gjetur vdekjen. Megjithatë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. F.S.