E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetoja e Rusise dhe Kines per Sirine SHBA e fyer

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen  të “fyera” nga vetoja e Rusisë dhe Kinës për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të kërcënonte me veprime ndëshkuese  regjimin sirian. Ambasadorja amerikane në OKB, Suzan Rajs, tha se qeveria e saj ishte e “fyer” që Këshilli i Sigurimit kishte dështuar të miratojë një rezolutë për krizën në Siri, të cilën ajo e quajti një “sfidë urgjente morale dhe një kërcënim në rritje për paqen dhe sigurinë rajonale.” 

Një rezolutë e paraqitur nga vendet e BE-së para forumit më të lartë të Kombeve të Bashkuara dështoi të martën në mbrëmje me veton e Rusisë dhe Kinës. Pavarësisht nga numri i shumë të vdekurve në vendin arab, Moska kishte hedhur poshtë çdo kritikë të aleatëve të tij. Të katër vendet e BE-së në KS kishin zbutur tonet për projektrezolutën e  paraqitur pavarësisht kritikave.Por megjithë përpjekjet diplomatike, dokumenti në fjalë nuk u arrit të miratohej.

Rezoluta e hartuar nga Bashkimi Evropian dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, mori nëntë vota për, ndërsa Rusia dhe Kina ishin të vetmet që votuan kundër. Katër vende të tjera India, Afrika e Jugut, Brazili dhe Libi mungonin.

Para vetos, diplomatët rusë kishin paralajmëruar se do të kundërshtonin veprimet e Këshillit të Sigurimit të cilat kishin si shënjestër regjimin sirian të presidentit Bashar al-Asad, me sanksione të mundshme. Në këto deklarime në fakt  nuk përfshihej fjala “sanksion” por “masa të caktuara” kundër Sirisë. Pas përpilimit të ri të rezolutës, udhëheqja e presidentit sirian Bashar al-Asad ishte kërcënuar vetëm me masa specifike në rast se protestat në Siri do të shtypeshin edhe më tej me dhunë.   

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›