Lirohet ish-bosi i piramidës “Kambo Marshall”
TIRANE - Ylli Kambo, ish-bosi i piramidës “Kambo-Marshall” ka lënë qelitë e burgut të Vaqarit pasi ka shlyer dënimin me 10 vite burg që mori në vitin 2001. Ditën e djeshme, pas përfundimit të dënimit ai u la i lirë për t’u kthyer sërish pranë familjes së tij, e cila jeton në zonën pranë Bërrylit në rrugën “Bardhyl”. Ylli Kambo, është nga të paktët prej ish-bosëve të firmave piramidale që e vuajti në qeli dënimin e dhënë nga gjykata për mashtrime në shuma të mëdha. Ai u dënua në mungesë më 25 maj të vitit 2001 me 10 vjet burg, nga Gjykata e Tiranës e cila e gjeti fajtor për mashtrimin e 455 kreditorëve në shumën e rreth 800 mijë dollarëve amerikanë. Kambo e kishte kryer kredimarrjen në qytetin e Beratit gjatë viteve 1996 – ’97 duke u ofruar kreditorëve të tij interesa shumë të larta. Të joshur nga ky mashtrim qytetarët depozituan në arkën e fondacionit të mashtrimit kursimet e tyre, por askush nuk mundi të merrte interesat apo ndonjë këst të parave, pasi Kambo sapo mblodhi rreth 800 mijë USD u zhduk së bashku me paratë. Pas kësaj Prokuroria e Tiranës nisi çështjen penale, ndërsa Kambo ishte larguar jashtë vendit ku u kap në vitin 2001 në Rumani. Pas kësaj ai u ekstradua në Shqipëri në 24 prill 2003, ku vuajti dënimin në burgun e Rrogozhinës dhe Vaqarit. Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit Kambo njihet si një nga të burgosurit që ka dërguar më shumë kërkesa penale në Gjykatën e Tiranës. Kështu, që nga viti 2005 e deri ditën e djeshme Kambo mban autorësinë e 22 kërkesave në gjykatën e kryeqytetit ku vetëm një numër shumë i vogël i janë pranuar. Po kështu edhe gjatë gjykimit për veprën penale të mashtrimit Kambo ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës, nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës. Referuar të dhënave zyrtare të Gjykatës së Tiranës kërkesat e Kambos kanë si objekt, lirim para kohe me kusht, ulje dënimi, amnisti, pavlefshmëri aktesh gjyqësore, etj, madje një nga katër proceset e nisura këtë vit nga Kambo,për lirim para kohe me kusht aktualisht ndodhet në gjykim, ndërsa pritet të pushohet nga gjyqtari i çështjes. Gjatë kohës që ndodhej në burg Kambo ka përfituar ulje dënimi për sjellje të mirë në qeli, ndërkohë që tre vite më parë, ai përfitoi ulje të çerekut të dënimit të mbetur në zbatim të amnistisë parlamentare të janarit 2007. Këto ulje dënimi u bënë shkak që ai të përfundonte ditën e djeshme dënimin me 10 vite burg, kur u lirua nga burgu i Vaqarit. fa.ma.
Lirimi i Kambos,pritet pushimi i padisë
TIRANE – Gjykata e Tiranës pritet të pushojë çështjen gjyqësore në ngarkim të Ylli Kambos për kërkesën e tij të “lirisë me kusht”. Shkak për këtë është bërë përfundimi i kohës së vuajtjes së dënimit prej Kambos dhe lirimi i tij nga qelia. Burime pranë gjykatës, sqaruan se çështja në të cilën do të shqyrtohej kërkesa e ish-bosit të “Kambo Marshall” për “lirim me kusht” do të pushohet, pasi ajo nuk ka më objekt gjykimi. Muajin e fundit gjykata ka pushuar edhe dy kërkesa të tjera penale me kërkues Ylli Kambon. Në 9 mars 2010 gjyqtari pushoi çështjen ndaj Kambos me objekt “kundërshtim i vendimit të prokurorisë”. Ndërsa në 1 prill 2010 gjyqtari Kreshnik Omari rrëzoi kërkesën e Kambos për “ulje dënimi” në masën e 90 ditëve.